Fragment nga libri

Mbeta vetëm, pa mundur ta përcillja së paku deri te stacioni i autobusit. Ajo kush e di përse nuk deshi ta përcillja. Dhe në kujtesën time ka mbetur sic e pashë castin e fundit, mbështetur me shpinë pas derës së jashtme, të mbyllur të apartamentit. Me një buzëqeshje të pafajshme në fytyrë. Adoleshentja e përjetshme sykaltër e fotografisë. Me cantën e vogël të shpinës, ku mbante sendet e saj. E gatshme t’i futej aventurës, edhe pse i vinte për të qarë. Po mbase ka qarë poshtë, te stacioni i autobusit, kjo ka qenë dhe arsyeja që nuk pranoi ta përcillja. Bëra cmos të mos e lëshoja veten. Hija e Rovenës, si gjatë gjithë asaj nate vazhdonte të endej nëpër apartament dhe unë nuk desha që ajo të më shihte duke qarë, të më akuzonte sërish se edhe unë isha një gënjeshtar i vogël.
Shkrimtari ynë i mirënjohur Fatos Kongoli, vjen me romanin e tij “Gënjeshtarë të vegjël”. Është një aventurë kryeqytetase e protagonistit të librit, Alpinit sic e thërrasin, një i ri me origjinë fshati. Edhe në këtë roman të ri përmes një proze që të mbërthen nga fillimi në fund, Kongoli shpalos mjeshtërisht një tablo të realitetit shqiptar. Një realitet i egër, me probleme të shumta dhe kontraste të thella. Që në krye ndeshemi me një titull pezhorativ ndaj pyetja jonë e parë për autorin ishte pikërisht kurioziteti për të ditur përse i është dashur ta quajë kështu? Por përgjigja vjen menjëherë e thjeshtë prej tij; është një titull i zakonshëm dhe i vërtetë. Nuk mund ta quaj pezhorativ si ju e cilësuat. Dhe nuk kisha asnjë arsye përse duhet ta shmangja. E vërteta është se që në faqet e para, shkrimtari të intrigon dhe ta nxit leximin për t’i zbuluar këta gënjeshtarë të vegjël. Me një formë dhe me një përmbajtje të veçantë romani të mban të tensionuar duke zbardhur përpara teje këta gënjeshtarë të vegjël. Po përse janë të vegjël ata? Është e kuptueshme, thotë autori ata janë të vegjël sepse ata janë shpirtngushtë dhe idhnakë të pandreqshëm. Me gënjeshtarë personifikohet, për shembull, bosi i Kompanisë Luga, Kudret Luga, kompani ku punon protagonisti i veprës, Alpi, por edhe ish – bashkënxënësi i tij në fshatin N, sot shef në këtë kompani, Fatjoni, për të ardhur tek ish e dashura, njëkohësisht ish -kolegia e punës së Alpit, Ema.

Po cilat janë dashuritë që personazhi i tij jeton? Përse duket se ai vuan për ato? Faqet e para të romanit hapen me Emën dhe ne futemi në një enigmë apo si të thuash në një botë të mistershme.

Togfjalëshi shumë i goditur “gënjeshtarë të vegjël” edhe pse përsëritet pak në roman mbart një peshë të madhe në zhvillimin e ngjarjeve dhe kështu mund ta cilësojmë si fjalën çelës të romanit. Persoanzhet e romanit të Kongolit janë njerëz të ditës sonë të cilët pas viteve 90-të disa prej tyre u bënë papritur të pasur. Shembull është bosi i kompanisë “Luga”, i cili u pasurua duke vjedhur asetet publike dhe konkretisht shtypshkronjën e fshehur X, që do të përdorej në raste të veçanta. Por ai nuk mjaftohet me kaq sepse pas viteve 90-të e në vazhdim do të përfaqësojë popullin e zonës si deputet i saj. Një tjetër i tillë është edhe moshatari dhe bashkëfshatari i Alpit, Fatjoni. Tashmë i ngritur në detyrë, ai gjen rastin të godasë shokun; të shpifë e të trillojë fakte joreale, ndihmuar edhe nga ish e dashura e Alpit, Ema, për të cilën dashuria nuk është vlerë, nuk është ndjenjë, por vetëm send nga i cili mund të nxjerrësh përfitime dhe me çdo çmim. Romani ka subjekt të thyer. Hapet me një skenë vdekjeje për të vazhduar më pas me vetërrëfimin e personazhit kryesor, Alpit, i cili bën një autobiografi për jetën e tij dhe për familjen e tij në fshatin N: vjen nga një familje me prejardhje fshatare, me babanë mësues, që vazhdimisht përpiqet që djali i tij të jetë dikush, por me meritë. Familja e tij është arsimdashëse, vlerë që ia kanë përcjellë edhe të birit. Është një vetërrëfim që do të pasohet nga kujtime të shumta, por dhe nga kureshtja rreth një personazhi, jetës së saj dhe familjes së saj, Violës. Boshtin e romanit e përbëjnë tri dashuritë e Alpit, secila shumë e ndryshme nga tjetra, dhe të pakrahasueshme me njëra-tjetrën. Cilat janë ato? Romani është shkruar me një gjuhë të pastër, të zhdërvjelltë, ku spikat fjalori i pasur, dhe një sintaksë perfekte. Do të doja ta uroja edhe një herë Fatos Kongolin për këtë dhuratë të bukur që po i jep lexuesit shqiptar.

Skeda e librit

Viti i botimit 2019
Vendodhja e botimit Tirane
Gjuha Shqip
Tipi i publikimit Libër
Grupmosha e leximit mbi 14 vjeç
Statusi I ri
Numri i botimeve I parë
Roman Psikologjik
I ri 1

Top Channel