Trukimet në Spanjë, Valladolid-Valencia me rezultat të paracaktuar

04/06/2019 14:07

Përpara disa ditësh u zbulua një skemë e trukimit të ndeshjeve të La Ligës dhe Segunda Division, në futbollin spanjoll. Ndeshjet nën hetim ishin kryesisht ato të sezoneve 2016-2017 dhe 2017-2018, mes të cilave edhe Huesca-Nastic.

Por, së fundmi është përmendur edhe ajo mes Real Valladolidit dhe Valencias, e javës së fundit të sezonit që sapo u mbyll.

E përditshmja “El Mundo” publikoi regjistrimin e disa bisedave, që vërtetojnë manipulimin e rezultatit të kësaj ndeshjeje, që u fitua nga Valencia 2-0.

“Ishin vetëm 7 futbollistë të korruptuar, asgjë më shumë”, është një nga frazat e thëna nga Carlos Aranda, një ndër personat e përfshirë në këtë skandal.

Sipas hetuesve, ishte bërë një pakt që Valencia të fitonte ndeshjen si në pjesën e parë, ashtu dhe në të dytën, një parashikim që u bë realitet falë edhe ndihmës së lojtarëve të Valladolidit.

Mësohet se manipulimi i rezultatit të kësaj sfide u bë nëpërmjet Borja Fernandez, në këmbim të një pagese prej 50 mijë eurosh. Sipas dokumenteve të deritanishme rezulton se nuk ka përfshirje të klubit të Valencias, ndërkohë që rezulton se Valladolid ka marrë një ofertë për të lejuar fitoren e Valencias, që kjo skuadër e refuzoi, por që zgjoi interesin e Raul Bravos, që u lidh me një prej kontakteve të tij nëpërmjet Borja Fernandez.

Sipas medies spanjolle, pavarësisht kësaj, Valladolidi nuk rrezikon të dënohet me rënie nga kategoria, por për të do të ketë heqje të 3 pikëve nga renditja përfundimtare, gjë që e lë sërish në La Liga, duke qenë se diferenca me Gironën ishte 4 pikë. Sa u përket lojtarëve, Kodi i Disiplinës në Spanjë parashikon pezullim të tyre nga aktivitetet për 2-5 vite dhe gjobë nga 3.000 në 30 mijë euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA