“Shokë..” është libri më i fundit me ese dhe publicistikë i cili shenjon që në krye të herës cilësinë e një libri jo vetëm biografik, por dhe të mbushur me ngjarje e histori që vijnë prej një prej tre armëve të Forcave të Armatosura Shqiptare, Forcat Ajrore Shqiptare.

Shteti shqiptar ka bërë përpjekje të shumta për krijimin e armës së aviacionit luftarak, por për arsye politike një gjë e tillë nuk u arrit dot deri mbas Luftës së Dytë Botërore.

Është e njohur se deri në vitin 1945 një grup ish-partizanësh filluan përgatitjen për pilotë luftarakë në shkollën e aviacionit jugosllav por pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, grupi e vazhdoi përgatitjen në Bashkimin Sovjetik. Forcat Ajrore Shqiptare u krijuan zyrtarisht me 24 prill 1951. Agustin Gjinaj, autori i librit por dhe një pjestar i denjë i kësaj force shtetërore, thotë se asgjë vec pasionit nuk e tundon njeriun të përshkojë gjurmë drejt atyre kaltërsive të pamatë.

Libri “Shokët” është ndër të tjera edhe një homazh për atë brez të rinjsh e të rejash që në kushtet e një tensioni politik dhe shoqëror të kohës, nuk u sprapsën për të dhënë një vendi gjurmën e tyre historike. Forcat Ajrore Shqiptare në periudhën e viteve ‘50-‘75, ishin një nga forcat ajrore më moderne në rajon, por edhe në botë sa i përket pajisjes logjistike, por edhe përgatitjes së lartë të kuadrit që ajo dispononte.

Pilotët shqiptarë, shkruan më tej në librin e tij “Shokët”, Agustin Gjinaj dalloheshin nga pilotët e tjerë në shkollat e huaja të përgatitjes së pilotëve luftarakë si ato të Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës, për aftësitë e larta profesionale që tregonin. Në këtë libër përmblidhen bukur historitë njerëzore, avionët, bukuritë e qiellit por dhe emocionet dhe kënaqësitë, dashuritë dhe dhembjet që lanë gjurmë. Gjurmët që nënvizon autori, të cilët janë edhe më të mëdha sesa vetë aerodromi.

Top Channel