Mbrëmja e së dielës mund të quhet “nata e mbretërve” në Itali. Yjet e futbollit botëror zbritën në fushën e lojës për një sfidë minifutbolli në stadiumin qendror të “Foro Italico”, teksa bënë për vete të gjithë të pranishmit me spektaklin e dhuruar falë talentit të tyre të jashtëzakonshëm, edhe pse i kanë lënë me kohë fushat e gjelbra.

Ishte një mbrëmje që pa në fushë një përballje mes kapitenit të përjetshëm të Romës, Francesco Totti, dhe yllit portugez, Luis Figo, si dhe skuadrave të formuara prej tyre në një ndeshje bamirësie.

Të përfshirë në këtë ngjarje ishin shumë ish-lojtarë të skuadrës verdhekuqe, si Aldair, Candela, Tommasi, Perrotta, Casseti apo Borriello, por nuk munguan as ata që fituan Botërorin e vitit 2006 me Italinë, si Pirlo, Materazzi e Zambrotta.

Të pranishmit nuk i kursyen koret dhe duartrokitjet për idhullin e shtëpisë, që në moshën 42-vjeçare i ndezi të gjithë me pasimet apo golat e tij spektakolarë. Ishte një mbrëmje magjike e mbyllur me fitoren e skuadrës së Luis Figos 17-11, me Tottin që shënoi 4 gola. Të ardhurat e siguruara nga kjo ndeshje bamirësie do të shkojnë për llogari të Spitalit Pediatrik “Bambino Gesu”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA