Artistë e sportistë njëzëri: Veliaj meriton një mandat të dytë. Tirana, metropol europian

01/06/2019 19:02

Artistë dhe sportistë kanë shprehur hapur mbështetjen për kryebashkiakun Erion Veliaj, për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Tiranës. Gjatë takimit hapës të fushatës për zgjedhjet e 30 qershorit, në “Parkun Olimpik”, ata kanë vlerësuar ndryshimet e mëdha që ka pësuar kryeqyteti dhe kanë bërë thirrje për një votëbesim edhe për 4 vitet e ardhshme.

“E di që këta çunat dhe gocat do të hyjnë në histori dhe unë dua të jem pjesë e historisë”, tha Gazmend Paja.

“Shumë shkurt, që të mos ta kthejmë në fjalim, unë dua të them vetëm kaq: Nëse do të kishte bërë nëna nja 3 si Erion Veliaj, nuk e di ku do të ishim këtë katërvjeçar. Unë jam në krah të Erionit sot, as sepse kam një formim socialist, as sepse kam ndonjë tesër partie. Jam këtu sepse besoj te ky djali që kam këtu pranë. Besoj sepse kam parë atë që ka ndodhur me Tiranën tonë të dashur, me një qytet që po shkon drejt Europës, me një qytet kaq të bukur, sa ke qejf të dalësh me vajzën se ke ku të çosh pa shpenzuar shumë. Falemnderit që na bëre ne artistëve të kemi aktivitete, se jemi ankuar gjithmonë që s’ka aktivitete Tirana. Dilni dhe shihni tani se çfarë bëhet”, tha Eneida Tarifa.

“Unë fola edhe më parë, por faktikisht nuk lodhem asnjëherë duke folur për Erionin, sepse vërtet i meriton çdo duartrokitje dhe çdo mbështetje tonën dhe të të gjithëve. Unë në datën 30 qershor do të votoj për të ardhmen e Tiranës, do të votoj për ndryshimet që kam parë këto 4 vite, për gjelbërimin, për pastërtinë e qytetit tonë, për amfiteatrin, për Pazarin e Ri, për çdo ndryshim që është bërë në Tiranë dhe dua të rri në këtë qytet me familjen time, sepse është një qytet që po u afrohet metropoleve europiane dhe dua që të jetë kështu gjithmonë”,tha Anxhela Peristeri.

“Nuk jam pjesë e asnjë partie, e them me sinqeritet. E vetmja gjë që dua është që ta shoh vendin tim të ecë përpara dhe mundohem shumë që në çdo aktivitet ta përfaqësoj atë sa më denjësisht. Më bëhet zemra mal kur shoh sa shkolla, sa çerdhe, terrene sportive po shtohen çdo ditë, ndaj dua ta shoh kështu edhe pas 30 qershorit. Dua që ky zhvillim që po i bëhet kryeqytetit t’i bëhet edhe vendit, sepse ne vërtet i meritojmë dhe ne mund ta ngremë vendin tonë në majat më të larta, ashtu siç janë shumë vende europiane. Ndaj le ta bëjmë për Shqipërinë dhe për të ardhmen”, tha Luiza Gega.

“Ne s’kemi bindje politike, por ama duam që vendi të ecë përpara. Duam që vendi të ecë përpara, të bëhemi edhe ne si qytetet e mëdha europiane. Këtu kam ardhur për të thënë një mesazh jo politikisht, por një mesazh shumë miqësor, që zgjedhjet e 30 qershorit të jetë një ditë e zakonshme si të gjithë ditët e tjera, pa rrëmuja, pa dhunë”, tha Izmir Smajli.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA