Problemet ekonomike të eurozonës kanë filluar të japin efektet e para negative edhe në ekonominë shqiptare. Instituti i Statistikave raportoi se në katër muajt e parë të vitit shitjet e kompanive shqiptare në tregjet e huaja ranë me 2.3 për qind, të dëmtuara nga ecuria negative e eksporteve të energjisë, materialeve të ndërtimit, por edhe ato të fasonit.
Ngadalësimi i ekonomisë europiane dhe veçanërisht vendeve kyç partnere të Shqipërisë si Greqia dhe Italia, po godet kompanitë shqiptare që punojnë për eksport. Të dhënat e fundit zyrtare nga Instituti I Statistikave tregojnë se në katër muajt e parë të vitit eksportet ranë me 2.3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pjesa më e madhe e kësaj rënie ka ardhur nga eksportet e energjisë elektrike dhe naftës, të cilat sipas INSTAT ishin 5 miliardë lekë më pak se vjet. Por ndonëse rënia e eksporteve të energjisë ishte e pritshme për shkak të krizës hidrike, tendenca negative ka përfshirë edhe grupet e tjera të mallrave.
Sipas INSTAT, një tjetër zë ku eksportet kanë shënuar rënie të ndjeshme krahasuar me vitin e mëparshëm është ai I materialeve të ndërtimit dhe metalet. Eksportet e këtij grupi ranë me 1.5 miliardë lekë në terma vjetorë, teksa kompanitë që prodhojnë materialet e ndërtimeve duket se kanë patur më pak kërkesë për produktet e tyre në tregjet e huaja.
Ecuri të dobët kanë shënuar edhe eksportet e industrisë së fasonit, që është dhe zëri më I rëndësishëm I eksporteve shqiptare. Sipas INSTAT, në katër muajt e parë të këtij viti, eksportet e fasonit ishin në stanjacion, e madje me një rënie të lehtë krahasuar me vjet.
Të vetmet grupe me ecuri pozitive të eksporteve janë artikujt bujqësor dhe makineri pajisjet. Por rritja e shënuar në këto dy zëra ka qenë e pamjaftueshme për përmbysur tendencën negative në grupet e tjera.
Top Channel