Transgjinori shqiptar, 20 000 euro për t’u bërë djalë

14/05/2019 17:11

Blerti është transmashkulli shqiptar i parë që po kryen procesin e kalimit nga vajzë në djalë në Kosovë dhe jo jashtë saj. Ai rrëfeu të gjitha përjetimet e kësaj faze të jetës së tij në programin “Exclusive”, në Top Channel.

Blerti është 29 vjeç, nga Gjakova dhe jeton prej vitesh në Prishtinë. Ai gjithmonë është ndjerë se jeton brenda një trupi të gabuar, duke theksuar se ka një identitet gjinor ndryshe nga seksi i përcaktuar. Ai ka lindur si vajzë, por ndjehet se është djalë.

Dikur ai quhej Blerta, por asnjëherë nuk ka menduar se është një vajzë. Pasi ai tregon se vishej si djalë, flokët i priste shkurt, sillej si mashkull etj.

Hera e parë dhe e fundit që Blerti ka veshur një fund ka qenë në shkollën e mesme, ku uniforma nuk e lejonte të vepronte ndryshe. Gjatë të gjithë jetës së tij mënyra sesi i janë drejtuar të tjerët kanë qenë të ndryshme, disa e thërrisnin “o vajza”, të tjerë “o djali”.

Prej 1 viti e gjysmë Blerti është në fazën e marrjes së hormoneve, fazë që i ka trashur zërin dhe i ka shtuar qimet në trup. Ndërkohë që brenda vitit 2019 dëshiron të kryejë edhe dy ndërhyrje fizike, mastektomi dhe metoidioplastik, që do ta shndërrojnë plotësisht në një djalë, duke përshtatur trupin me identitetin e tij mashkullor. Duke qenë se trajtimet bëhen jashtë Kosovës, ndërhyrjet gjithashtu, Blerti rrëfen se i gjithë procesi i ndryshimit do t’i kushtojë 20 000 euro.

  “Unë jam një djalë homoseksual! Nuk hezitoj ta pranoj”

Pyetjes se gazetares Olsa Muhameti se përse mori vendimin të kalonte përmes një procesi të ndryshimit fizik për t’u bërë djalë, Blerti u përgjigj: “Jeta është shumë e shkurtër nëse ke një jetë të mirë dhe është shumë e gjatë nëse nuk ndjehesh i plotësuar. Në trupin që kam nuk ndjehem 100% vetja dhe nuk është e drejtë me jetu në këtë trup”.

Ai shprehet se nuk ka arsye pse në një moment të jetës të pendohet për ndërhyrjet e ndryshimeve fizike në trupin e tij. Reagimet e njerëzve janë të shumta, kur mësojnë se Blerti është një transgjinor e shumë prej tyre e përcaktojnë si turp dhe disa të tjerë e trajtojnë si të sëmurë. Madje ai ka humbur edhe miq për këtë arsye.

Pyetjes se a po thyen ligjet e natyrës duke ndryshuar seksin nëpërmjet ndërhyrjeve, Blerti iu përgjigj: “Çdo person meriton me jetu i lumtur, kështu që çfarëdo që e bën të lumtur nuk e dhunon ligjet e natyrës, qoftë edhe ndryshimi i seksit”.

FOTO GALERI
4/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA