Alda Bardhyli / Në shekullin XXI, Karl Marks vijon të jetë po aq tërheqës, duke ndërhyrë shpesh në diskursin politik. Idetë e tij, më shumë se aksioma revolucionare, sot vijojnë të kenë të tjera interpretime për botën. Historinë e këtij filozofi politik më ka pëlqyer gjithnjë ta lidh me shënjimin që blloku socialist i bëri historisë së shekullit XX dhe ndikimit që dy veprat e tij,

“Manifesti komunist” dhe “Kapitali”, patën në vende që jetuan komunizmin. Shqipëria është një ndër vendet e bllokut komunist, ku këto vepra u botuan pas viteve ‘70 nga shtëpia botuese “8 Nëntori”. Por duket se leximi shqiptar i këtyre veprave është krejt i ndryshëm nga ai I bërë në Europë apo Perëndim.

Ky libër do të lindte nga bisedat e gjata mbi këto vepra, në kafenenë e Universitetit Europian të Tiranws, shpesh të shoqëruara nga tymi i kaltër i një cigareje, duke u përpjekur të thellohesha në analizën e përkryer që profesor Adrian Civici i bënte Marksit.

Leximi i tij mbi “Kapitalin” prekte jo vetëm mënyrën sesi komunizmi shqiptar e lexoi filozofin gjerman, por dhe në një lexim bashkëkohor të ideve të tij, siç është zgjerimi global i kapitalizmit apo tregjeve. Një pjesë të debateve të ngritura në këta libra, vijojnë të shoqërojnë kohën kur jetojmë, siç është lidhja mes politikës dhe ekonomisë. Komunizmi shqiptar ishte i ndryshëm nga teoritë e babait të socializmit, duke aplikuar një metodë që pothuajse ishte shumë larg leximit të këtyre pamfleteve socialiste. Megjithatë intelektualët shqiptarë në këto vite nuk kanë ende një qëndrim të tyrin mbi lidhjen e këtyre veprave, me historinë politike të Shqipërisë së shekullit XX.

Me gjithë kritikat me të cilat shpesh shoqërohet diskutimi mbi Marksin, idetë e parashtruara herët prej tij, si aspektet e pazgjidhura të kapitalizmit, çojnë në kriza të reja, e se sistemi mund të shembet për shkak të gabimeve të tij të brendshme, e bëjnë atë si një autor të nevojshëm për çdo kohë. Kjo teori duket e natyrshme, teksa mendon se librat duket se marrin trajtën e kohës kur jetojnë, duke u zhvendosur lehtësisht nga koha kur janë shkruar. Iu referova këtyre veprave për të nisur me profesor Civicin një dialog mbi socializmin shqiptar dhe rolin e tij përgjatë gjysmë shekulli në identitetin e zhvillimin e historisë shqiptare. Një nga tendencat e shoqërive të lira, gjithnjë të përfshira në zhvillime, siç është kjo e jona, është harresa. Socializmi shqiptar, për vetë tiparet e ashpra mbi të cilën u ndërtua, vijon të jetë i përjashtuar nga hulumtimet e studimeve politike. Diktatura shqiptare ka portretin e saj në historinë botërore, krijuar shpejt pas Luftës së Dytë Botërore, duke reflektuar tendencën e kolektivizmit, shpesh e lodhur, për të cilën ne duhet të kemi një qëndrim. Elitat tona ende se kanë elaboruar një udhëtim të gjatë në zemër të tij.

Qëllimi i këtij dialogu, i cili nisi në vitin 2018, është të bëjë një udhëtim në honet e errëta të së shkuarës. Biseda jonë nis me socializmin, për të vijuar më pas me kapitalizmin dhe tranzicionin, për të kuptuar Shqipërinë e gati një shekulli, nën lupën e kujtesës së një intelektuali që i përfaqëson më së miri të tria këto kohë. Vetë formimi ekonomik i profesor Civicit na ndihmon të shohim më qartë dhe një aspekt tjetër të hulumtimit të këtyre tri kohëve, përmes proceseve ekonomike. Asnjë histori nuk mund të kuptohet deri në fund, pa kuptuar rolin e rëndësishëm të lëvizjeve ekonomike. Kalimi nga një sistem tek tjetri pas viteve 90-të, do të shoqërohej me një krizë të natyrshme, për një shoqëri e shtet, ku për gjatë gjysmë shekulli sistemi ishte drejtuar përmes forcës. Liria ekonomike që solli kapitalizmi, do të shoqërohej me një tranzicion, i cili vijon të dominojë në shumë sektorë sot. Me profesor Civicin përpiqemi të elaborojmë kapitalizmin shqiptar, shpesh perms krizës me të cilën u shoqërua procesi i ndërtimit të tij, për të dhënë një tablo të plotë, të gjitha elementëve politiko-historik, që do të na bënin ta kuptonim më mirë. Proceset e rindërtimit të kujtesës janë ndoshta më të vështirat për çdo shoqëri. Elitat tona kanë qenë pothuajse të heshtura ndaj këtij procesi. Ky dialog, ndoshta i vonuar, realizuar shpesh përmes email-eve, është dhe një ftesë e përhershme për një zgjim të ideve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA