Alberto Moravia është një novelist i rrymës ekzistencialiste. Romanet e tij hulumtojnë çështje të seksualitetit modern, dhe tjetërsimit social.
Moravia u bë i njohur për romanin e tij debutues “Indiferentët” botuar në vitin (1929) dhe për romanin antifashist “Konformisti”, mbi bazën e të cilët më pas u realizua një film në (1970) drejtuar nga Bernardo Bertolucci. Romane të tjera të adaptuara për kinemanë janë “Agostino”, “Ciociarja”, etj. Moravia thoshte se ngjarjet e rënda të jetës së tij si sëmundja e gjatë, një infeksion tuberkular i eshtrave si dhe fashizmi, ishin arsyet që e bënë atë të vuante dhe të bënte gjëra të cilat ndryshe, nuk do t’i kishte bërë.
Moravia ishte ateist. Përshkrimet e tij dalluan nga stili i tij i ftohtë dhe i saktë, duke përshkruar shpirtin e korruptuar të borgjezisë. Moravia besonte se shkrimtarët duhet, nëse do të përfaqësonin realitetin, “të merrnin një pozicion moral, një qëndrim të qartë politik, social dhe filozofik”, por edhe se në fund të fundit, “Një shkrimtar i mbijeton kohës pavarësisht bindjeve të tij”.
Romanet e Alberto Moravias ka disa vite që përkthehen në shqip nga përkthyes të njohur shqiptarë. Për lexuesin shqiptar e risjell Shtëpia Botuese “Dituria”. Drejtori i saj, z. Petrit Ymeri për Vitrinën e Librit, shpjegon se si nisi dëshira për ta ribotuar Moravian me librat e njohur për shqiptarët si “Cocarja”, “Agostino”, “Burri që kqyr”, etj në përkthimin e emrave më të njohur si Sotir Caci, Diana Kastrati, Klara Kodra, Erion Gjatolli, etj.
Çoçarja – Titulli duhej të ishte “Përdhunimi”, shkroi autori, “Përdhunimi i një kombi”, por ai vendosi ta quajë romanin Çoçarja, një rrëfenjë plot pasion për fatet e njerëzve të zakonshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai flet për dy gra, Çesirën, një dyqanxhije romane, e ve dhe vajzën e saj Rosetën, një adoleshente naive me bukuri magjepsëse dhe besimtare e devotshme. Kur qytetit i afrohet pushtimit gjerman, Çesira paketon pak rroba, qep kursimet e jetës brenda rrobave të veta dhe përpiqet të gjejë shpëtim bashkë me Rosetën në një fshat malor në provincën e saj të lindjes, Çoçaria, e cila gjendet në malet në jug të Romës.
Kartëmonedhat e saj e humbasin vlerën si pasojë e inflacionit të luftës, gjë që krijon një ekonomi të egër shkëmbimi mall me mall, të dominuar nga trafikantë ileqarë dhe hajdutë që përpiqen të përfitojnë nga malësorët dhe refugjatët e luftës. Nëna dhe vajza përjetojnë nëntë muaj uri, të ftohtë dhe pisllëk ndërsa presin mbërritjen e forcave aleate. Çesira nuk ka ndonjë interes të dijë se kush e fiton luftën, por dëshiron pambarim fundin e saj dhe rikthimin te jeta e qetë e dyqanxhijes. Në vend të kësaj, çlirimi sjell tragjedi. Ndërsa niset për t’u kthyer në Romë, të dyja sulmohen nga një grup ushtarësh marokenë të forcave Aleate, të cilët përdhunojnë Rosetën dhe rrahin rëndë Çesirën. Ky akt dhune dhe humbja e pafajësisë hidhëron kaq shumë Rosetën sa ajo bie në jetën e një prostitute. Përmes këtyre vështirësive, Moravia ofron një portretizim intim të vuajtjeve të sjella nga shkatërrimi i luftës, si në fushëbetejë ashtu edhe mbi ata jashtë saj.
Romani i Moravisë u bë film në vitin 1960 me regji të Vittorio de Sica me aktore në rolet kryesore Sophia Loren, Jean-Paul Belmondo, Raf Vallone, Eleonora Broën, Carlo Ninchi, dhe Andrea Checchi.
Rreth autorit – Alberto Moravia (pseudonim letrar i Alberto Pincherle) është ndër emrat më të rëndësishëm të letërsisë italiane dhe europiane të shekullit të 20-të. Pas një sërë përvojash në publicistikë dhe në prozën e shkurtër, më 1929 u botua romani shumë i suksesshëm ‘Indiferentët’, që u pasua nga njëri dhjetëvjecar në tjetrin nga mjaft romane e vëllime me tregime, drama e përmbledhje eseistikë. Ndër veprat e tij më të njohura përmenden, ‘Çoçarja’, ‘Romana’, ‘Agostino’, ‘Burri që këqyr’, ‘Mosbindja’, ‘Dashuria bashkëshortore’, ‘Mërzia’, ‘Unë dhe ai’, ‘Jeta shpirtërore’, etj.
Skeda e librit / Autor: Alberto Moravia
Përkthyer: Sotir Caci
Shtëpia Botuese: Dituria
Botuar në: 2019
Top Channel