Në Shkodrën bastion të demokratëve, kryeministri Edi Rama siguroi jo vetëm që data e zgjedhjeve lokale nuk ndryshon, por në 30 qershor socalistët do ta fitojnë këtë Bashki.
“Fallxhorja kishte thënë do bëhen zgjedhjet e parakoshme. Zgjedhje ka në datën 30 qershor. Ata nuk u regjistruan në zgjedhje. Le të bëjnë ç’të duan në 30 qershor ne do e marrim bashkinë Shkodër. Demokratëve të mërzitur ju them ruani gomat, se s’ka askush që përmbys fatin e zgjedhjeve që i shkruan populli me dorën e vet”, tha Rama.
Shkodrën, të majtët pritet ta fitojnë me prefektin Valdrin Pjetri, i cili edhe pse nuk u zyrtarizua është kandidati më potencial i socialistëve.
“Një ndër arsyet që i kam kërkuar Valdrinit të vijë këtu është se e kam njohur nga puna që ka bërë dhe transforimi që i ka bërë punëve në hipotekë”, tha ai më tej.
Por, demokratët kanë paralajmëruar bojkot të betejës vendore. Rama risolli në vëmendje marrëveshjen e dy viteve më parë me Bashën për t’i dhënë mesazhin se historia nuk do të përsëritet më.
“Pse mor Lul sa herë të vijnë zgjedhjet këte do bëj unë të jap gjithë pjeshkat dhe karamelet. Ne si japim pushtetin në tavolinë se nuk e fitojne dot ata”, tha më tej kryeministri.
Ashtu sikurse në takimin që pati në Malësinë e Madhe, as në Shkodër Rama nuk harroi të thumbojë opozitarët të cilët i bllokuan rrugën.
“Si ta pranojmë tani kalimin nga Topalli tek Flamur Noka. Tani kemi para Nokën, një hu për gardh … Më vjen keq për dy fufa njerëzish, që bllokojnë rrugën mos të lejojmë Ramën. Ju e dini sa e du unë Saliun por me thënë të drejtën asnjëherë në kohën e normalitetit s’na kanë penguar kurrë, i ka ngelur Lulit dhe Monës”, tha Rama.
Top Channel