Rreth 170 milionë fëmijë në të gjithë botën, nën moshën 10 vjeçare, janë të pambrojtur nga fruthi në një kohë kur sëmundja po njeh shpërthim. Mes tyre gjysmë milioni në Britaninë e Madhe dhe 2.5 milionë në SHBA.
Më shumë se 21 milionë fëmijë në vit nuk vaksinohen për një nga organizmat më infektivë që ekzistojnë, thotë UNICEF. Mes vitit 2010 dhe 2017 rreth 169 milionë fëmijë e humbën të parën nga regjimi i rekomanduar prej dy dozash.
Rastet e fruthit janë rritur me 300 për qind në tre muajt e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar me 110 mijë raporte të konfirmuara. I njëjti numër ka humbur jetën nga sëmundja në 2017. Rastet e fruthit kanë arritur në nivelin më të lartë në Evropë në 20 vite dhe kanë bërë që të shpallet gjendja e emergjencës në qytetin e New York-ut, në SHBA.
Një deri në tre njerëz në çdo 1000, që preken nga sëmundja, humbin jetën dhe ka komplikacione serioze tek ata që mbijetojnë përfshirë verbimin, encefalitin dhe pneumoninë. SHBA kryeson listën e vendeve me të ardhura të larta, me numrin më të madh të fëmijëve që nuk e kanë marrë dozën e parë të vaksinës mes 2010-2017 e pasuar nga Franca dhe Britania e Madhe.
Në vendet me të ardhura më të pakta, sipas UNICEF, situata është më kritike. Për shembull Nigeria ka numrin më të madh të fëmijëve nën një vjeç që nuk e kanë marrë dozën e parë, rreth 4 milionë. E pasuar nga India, Pakistani, Indonezia dhe Etiopia.
Shumë vende nuk e aplikojnë dozën e dytë që duhet të jepet pas moshës katër vjeç. 20 vende në Afrikën qendrore nuk e kanë në axhendën e tyre, çka do të thotë se 17 milionë fëmijë janë të rrezikuar.
Top Channel