
Misri dhe gruri janë dy nga drithërat kryesore që përdoren si ushqim, jo vetëm nga popullata jonë. Nëse këto dy drithëra janë të kontaminuara me “mykotoksina”, një sërë sëmundjesh do të shfaqen te njerëzit që i konsumojnë ato.
“Në rastin e studimeve të kryera përgjatë viteve të fundit, duke filluar nga viti 2014, mund të theksoj se problematika ka variuar sipas viteve. Viti 2014 ka rezultuar i ngarkuar me kontaminantë që janë mykotoksinat. Në këtë vit ka rezultuar misri me nivele shumë të larta të aflatoksinave, po ashtu edhe gruri. Por, përqindja e rasteve të mostrave pozitive të grurit ka qenë minimale”, tha Prof. Dr. Dritan Topi, ekspert ushqimi.
Pak vite më parë, në vendin tonë shpërtheu një skandal që lidhej me aflatoksinën. Për të shmangur sëmundjet kancerogjene në popullatë, që mund të shkatohen nga aflatoksina, është e rëndësishme që organet kontrolluese të kenë nën vëzhgim edhe bazat ushqimore për blegtorinë.
“Mykotoksinat” kanë efekte të ndryshme te konsumatorët. Kështu, nëse i referohemi “zerenonit”, një toksinë që gjendet te misri, dëmet në shëndet janë të rënda, pasi nxisin pubertetin e hershëm te vajzat.
Rreth 25% e prodhimit botëror është i prekur nga “mykotoksinat”, në një formë, apo në një tjetër. Sot në vendet në zhvillim llogaritet që rreth 500 milionë njerëz janë drejtpërdrejt të ekspozuar ndaj produkteve që janë të kontaminuara.
Në trekëndëshin prodhues, kontrollues dhe konsumator, ky i fundit është ai që përballet më së shumti me rrezikun nga ushqimet e kontaminuara.
https://www.facebook.com/tch.topstory/videos/425242674953814/
Top Channel