Zgjedhjet në Turqi, nuk ka rinumërim në Stamboll

09/04/2019 13:35

Bordi i lartë i zgjedhjeve në Turqi, ka refuzuar kërkesën e partisë në pushtet, Drejtësi dhe Zhvillim për rinumërimin e votave në 31 lagje të Stambollit.  Presidenti Tayip Erdogan, kryetar i AKP, tha të hënën se zgjedhjet lokale ishin shënjuar nga krimi i organizuar në kutitë e votimeve në Stamboll, duke ngritur edhe mundësinë e rizhvillimit të zgjedhjeve në qytetin që ia dha shumicën, ndonëse me diferencë të ngushtë, partisë kryesore të opozitës.

Komentet e Erdogan, që përbëjnë sfidën më të fortë ndaj procesit elektoral në qytetin më të madh të vendit, bënë që lira të shënonte rënie dhe po ashtu ndikuan në bursat turke. Një zyrtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tha ndërkohë se Komisioni kishte rënë dakord të rinumëronte vetëm 51 kuti votimi, të shpërndara në 21 nga 39 distriktet e Stambollit. Çdo kuti votimi mban zakonisht disa qindra vota. Partia e Erdoganit ka humbur shumicën edhe në kryeqytetin Ankara, ku kandidati i opozitës, Partisë Republikane të Popullit, Mansur Yavas, bëri betimin si kryebashkiak i ri dhe po ashtu, vizitoi në mënyrë simbolike, mausoleumin e Ataturkut.

Partia Drejtësi dhe Dhvillim, ka qeverisur Ankaranë dhe Stambollin prej thuajse një çerek shekulli. Erdogani vetë doli në dritë si kryebashkiak i Stambollit, në vitet 1990, para se të shndërrohej në një lider kombëtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA