El Mundo: Agjentët rusë në një rrjet të ekspozuar në SHBA planifikuan vrasjen e Garry Kasparov
Parlamenti i Rumanisë ka rrëzuar kandidaturën e eurodeputetit liberal Siegfried Muresan për postin e kryeministrit, duke zgjatur krizën politike në vend dhe duke rritur mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Muresan mori vetëm 182 vota, ndërsa për formimin e qeverisë nevojiteshin 233 vota, sipas rezultateve zyrtare
Kjo ishte hera e dytë që Parlamenti rumun rrëzon një kandidat të propozuar nga Presidenti Nicuşor Dan, që prej rënies së qeverisë pro-europiane të Ilie Bolojan në fillim të majit.
Presidenti Dan kishte propozuar më herët edhe dy kandidatë të tjerë për postin e kryeministrit. Këshilltari i tij, Eugen Tomac, e tërhoqi kandidaturën para votimit në Parlament, ndërsa liberal Adrian Vestea nuk arriti të siguronte votat e nevojshme.
Pas votimit, lideri i Aleancës për Bashkimin e Rumunëve (AUR), partia e dytë më e madhe politike në vend, deklaroi se edhe kandidatura e Muresanit kishte dështuar. AUR ka bërë të ditur se do të votojë kundër kandidatëve të propozuar nga presidenti dhe kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Partia e ekstremit të djathtë kryeson në dy sondazhet e fundit, me rreth 40% mbështetje në njërin dhe 36% në tjetrin.
Edhe Partia Socialdemokrate (PSD), forca më e madhe në Parlament me 129 mandate, ka refuzuar të mbështesë kandidatët e propozuar nga Dan. PSD këmbëngul që kryeministri i ardhshëm duhet të vijë nga radhët e saj.
Kriza politike lidhet edhe me situatën e rëndë financiare të Rumanisë. PSD u largua nga qeveria në mesin e prillit, në shenjë proteste ndaj masave shtrënguese të ndërmarra për uljen e deficitit buxhetor, i cili është më i larti në Bashkimin Europian.
Më pas, PSD bashkëpunoi me AUR për rrëzimin e qeverisë së Bolojan. Megjithatë, për shkak të mungesës së një pasardhësi, Bolojan ka vijuar të drejtojë qeverinë.
Top Channel