El Mundo: Agjentët rusë në një rrjet të ekspozuar në SHBA planifikuan vrasjen e Garry Kasparov

30/09/2026 17:30

Një rrjet i lidhur me autoritetet ruse, i njohur si Rrjeti RIS, dyshohet se ka planifikuar vrasjen e disa figurave të njohura të opozitës ruse, mes tyre ish-kampionit botëror të shahut, Garry Kasparov.

Sipas gazetës spanjolle “El Mundo”, e cila citon burime, përfshirë persona pranë opozitës ruse, në shënjestër të komplotit ishin edhe ish-deputeti i Dumës Shtetërore, Ilya Ponomaryov, si dhe disidenti Vladimir Kara-Murza. Të tre janë kritikë të Kremlinit dhe mbështesin Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

Në shtator, FBI-ja dhe agjenci të tjera amerikane njoftuan zbulimin e një rrjeti që, sipas autoriteteve amerikane, ishte i lidhur me Rusinë. Në të dyshohet se bënin pjesë ish-koloneli 63-vjeçar i FSB-së, Yuri Khrameyev, i njohur si “Kolonel Yuri”, djali i tij 27-vjeçar Kirill Khrameyev, oficer në FSB, shtetasi kubanez Oemis Romagosa Durruti, 35 vjeç, kubanezi Yaydel Delgado Suarez, i njohur si “Viking”, 35 vjeç, dhe shtetasi venezuelian Angel Eduardo Castro, 22 vjeç.

Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, Suarez dhe Castro morën pjesë në rekrutimin e personave që jetonin në Shtetet e Bashkuara, me synimin për të mbikëqyrur dhe tentuar vrasjen e një disidenti të njohur rus që banonte në SHBA.

Autoritetet amerikane thanë se anëtarët e rrjetit kishin rekrutuar persona me pagesë për të spiunuar dhe vrarë dy persona në Shtetet e Bashkuara dhe një tjetër në Lituani.

Kasparov, i cili është shtetas kroat dhe jeton kryesisht në Shtetet e Bashkuara, dyshohet se ishte një prej objektivave. Sipas “El Mundo”, duke cituar persona pranë tij, në verën e vitit 2026 autoritetet amerikane e informuan Kasparovin se ai ishte shënjestruar në një komplot për vrasjen e tij, për të cilin dyshohej se qëndronte Kremlini.

Pas këtij njoftimi, Kasparov u vendos për herë të parë nën mbrojtje të veçantë që prej zhvendosjes së tij në Nju Jork në vitin 2013.

Ndërkohë, sipas “El Mundo”, komploti ndaj Ilya Ponomaryov kishte avancuar edhe më tej. Ponomaryov e ndan kohën mes Kievit dhe Uashingtonit, ku ka një rezidencë dhe zyrë që shërbejnë si degë amerikane e platformës së tij politike, Kongresit të Deputetëve të Popullit. Rusia e shpalli këtë organizatë “terroriste” në dhjetor 2025.

Gazeta spanjolle ngre dyshimin se Ponomaryov mund të jetë “Viktima 1”, personi i përmendur në dokumentet e Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Sipas autoriteteve amerikane, Suarez dhe Castro i ofruan një amerikani 40 mijë dollarë për të vrarë “Viktimën 1”, por ai refuzoi. Suarez dyshohet se më pas u përpoq të rekrutonte persona të tjerë për të kryer vrasjen.

Një burim pranë Ponomaryov i tha BBC-së se ky ishte tashmë komploti i nëntë për vrasjen e tij, por nuk pranoi të komentonte detajet.

Top Channel