U aksidentua teksa drejtonte makinën e babait që e kishte marrë pa leje, humb jetën 15-vjeçari në Pezë, plagoset shoku i tij 16-vjeçar

30/09/2026 08:12
Foto ilustruese

Një aksident ka ndodhur mbrëmjen e ditës së djeshme në Pezë të Tiranës, ku si pasojë ka humbur jetën një 15-vjeçar dhe është plagosur shoku i tij 16-vjeçar.

Sipas gazetares së Top Channel, Doriana Bezat, dy të miturit po udhëtonin me makinën e babait të 15-vjeçarit, kur ky i fundit i cili po e drejtonte mjetin, ka humbur kontrollin, është përplas me skarpatën anësore të rrugës, dhe më pas është përmbysur.

Aksidenti rezultoi fatal për 15-vjeçarin, ndërsa 16-vjeçari mbeti i plagosur dhe u transportua në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Dyshohet se 15-vjeçari e kishte marrë mjetin e të atit pa dijeninë e tij.

Njoftimi i policisë:

Më datë 29.09.2026, rreth orës 22:10, në Pezë-Helmes, shtetasi i mitur 15 vjeç, duke drejtuar pa leje një automjet, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe për pasojë automjeti është përplasur me skarpatën anësore të rrugës, dhe më pas është përmbysur.

Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i mjetit ka humbur jetën, ndërsa pasagjeri, 16 vjeç, është dëmtuar dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Vijon puna për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Top Channel