“Ndaloni shpërndarjen!”/ Publikimi masiv i videove intime të personave publikë në rrjetet sociale, reagon Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale

30/09/2026 18:48

Pas publikimit dhe shpërndarjes në rrjete sociale e portale online të disa materialeve intime të personave publikë në vendin tonë, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, ka reaguar duke u bërë thirrje mediave dhe përdoruesve të internetit të ndalojnë publikimin e tyre.

Komisioneri thekson se edhe personat publikë gëzojnë të drejtën për privatësi dhe se interesi i publikut për jetën intime nuk përbën në vetvete interes publik që justifikon publikimin. Në reagim nënvizohet gjithashtu se fakti që një material është publikuar më parë në internet nuk e bën të ligjshëm ripublikimin apo rishpërndarjen e tij.

Zyra e Komisionerit paralajmëron për masa administrative dhe penale ndaj përpunimit të paligjshëm të të dhënave personale dhe kërkon heqjen e përmbajtjeve intime të publikuara në kundërshtim me ligjin.

“Në vijim të publikimeve të fundit në media dhe rrjete sociale për materiale të pretenduara intime, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u bën thirrje mediave, portaleve dhe përdoruesve të rrjeteve sociale të respektojnë jetën private dhe dinjitetin e çdo individi.

Ligji nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” ndalon përpunimin e këtyre përmbajtjeve. Gjithashtu, publikimi dhe shpërndarja e tyre është e ndaluar.

Të qënit figurë publike nuk përbën heqje dorë nga e drejta për jetë private. Kurioziteti për jetën intime të një individi nuk mjafton për të justifikuar publikimin e saj si çështje me interes publik. Liria e shprehjes dhe e informimit duhet të ushtrohet duke respektuar kushtet e nenit 43 të ligjit, përfshirë domosdoshmërinë, proporcionalitetin dhe mbrojtjen e thelbit të të drejtave themelore.

Fakti që një material qarkullon në internet nuk e bën të ligjshëm ripublikimin e tij. Çdo rishpërndarje mund të shtojë ekspozimin dhe dëmin ndaj personave të prekur dhe familjeve të tyre.

Çdokush që përpunon në mënyrë të paligjshme të dhëna personale është subjekt i masave administrative dhe penale.

Zyra e Komisionerit bën thirrje të ndërpritet publikimi dhe rishpërndarja e materialeve intime në kundërshtim me ligjin dhe të hiqen përmbajtjet e publikuara në mënyrë të paligjshme”, shkruan Zyra e Komisionerit.

Top Channel