Dritan Hila analizoi në studion e emisionit Top Talk me gazetarin Denis Dyrnjaja vizitën e zv/ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mattheë Palmer, në Shqipëri.

Gazetari theksoi se ndryshe nga Bashkimi Europian, Amerika ka më shumë peshë në zgjidhjen e krizave politike në vend.

“BE-ja ka një ministër të Jashtëm, Mogherinin, por nuk ka peshën politike të Amerikës. Në BE ka disa shtete që secili po ecën me shpejtësinë e vet. Gjithmonë SHBA i ka zgjidhur kriza të tilla, vetëm nëse opozita ka ndonjë informacion që janë aq të shthurur në Uashington saqë s’janë në gjendje që t’i bëjnë presion Shqipërisë”, u shpreh Hila.

Gazetari nënvizoi se mbetet për t’u parë nëse “do të kemi një zgjidhje si në vitin 2017 apo do të ketë një kohë që do të lejojë pjekjen e marrjes së vendimeve”.

“Të dyja palët kanë nisur fushatën elektorale. A do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale opozita, kjo varet nga presioni dhe kushtet që do të vendosë zotëria i Departamentit Amerikan të Shtetit. Nuk mendoj se Palmer do t’i thotë Ramës që zgjedhjet do të zhvillohen me qeveri tranzicioni. Mendoj se Rama duhet të ulë arrogancën në prezantimet elektorale dhe kjo mund të jetë një kërkesë e Palmerit ndaj tij.
Opozitës do t’i vihet në dukje se dalja nga Parlamenti ishte hap i nxituar. Do t’i kërkohet ulja në bisedime”, u shpreh Hila.

Top Channel