Të shtëna me armë në një plazh të Kalifornisë, dy të vrarë dhe dy të plagosur
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump pritet t’u kërkojë aleatëve të NATO-s të rrisin kontributin financiar për blerjen dhe dërgimin e armëve amerikane në Ukrainë.
Sipas Bloomberg, iniciativa pritet të paraqitet gjatë muajit nëntor dhe synon që një pjesë më e madhe e barrës financiare të mbështetjes ushtarake për Kievin të përballohet nga vendet aleate.
Lëvizja vjen në një moment kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Kievit mbeten të tensionuara, ndërsa po përgatitet një raund i ri negociatash mes Rusisë dhe Ukrainës, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, më 10 dhe 11 nëntor në Abu Dhabi.
Bloomberg, duke cituar burime të njohura me planet e administratës amerikane, raporton se Uashingtoni synon t’u kërkojë vendeve anëtare të NATO-s një kontribut më të madh në programin e furnizimit me armë për Ukrainën. Reuters, nga ana tjetër, thekson se nuk ka mundur ta konfirmojë në mënyrë të pavarur këtë informacion.
Negociatat e reja Rusi-Ukrainë më 10 dhe 11 nëntor
I dërguari special i presidentit amerikan, Steve Witkoff, bëri të ditur se delegacionet ruse dhe ukrainase do të rikthehen në tryezën e negociatave më 10 dhe 11 nëntor, në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Sipas Witkoff, diskutimet do të përqendrohen te garancitë e sigurisë pas përfundimit të luftës, ulja e tensioneve, çështjet humanitare dhe hapat e mëtejshëm drejt një marrëveshjeje paqeje.
Përpara këtij takimi, negociatorët amerikanë pritet të zhvillojnë bisedime në Bruksel me përfaqësues të Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Në fokus do të jenë garancitë e sigurisë që mund t’i ofrohen Ukrainës pas përfundimit të konfliktit, si dhe arkitektura e ardhshme e sigurisë në Evropë.
Përpjekjet diplomatike vijnë pas disa muajsh ngërçi në negociata. Takimi i fundit trepalësh mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së ishte zhvilluar në shkurt në Gjenevë, por pa arritur përparim të rëndësishëm, për shkak të dallimeve mes Moskës dhe Kievit lidhur me kushtet e përfundimit të luftës.
Sulmet ruse në Ukrainë, të paktën 26 viktima në Zaporizhia
Ndërsa përgatiten negociatat e reja, luftimet në terren vijojnë. Të paktën 26 persona raportohet se janë vrarë nga bombardimet ruse në komunitetin Komysuvakha, në rajonin e Zaporizhias, sipas autoriteteve ukrainase.
Mes objekteve të goditura ishte edhe një shkollë që përdorej si qendër për shpërndarjen e ndihmave humanitare.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se pas sulmit të parë pasoi një tjetër goditje, në një moment kur civilët ishin strehuar në zonë. Mes viktimave kishte edhe pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit dhe policisë, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit u vështirësuan nga prania e dronëve rusë.
Ndërkohë, forcat ruse rifilluan bombardimet edhe në rajonin e Khersonit, pas përfundimit të një armëpushimi të përkohshëm lokal, i cili kishte mundësuar evakuimin e civilëve nga qyteti Oleski, nën kontrollin rus.
Pushtimi i plotë rus i Ukrainës nisi më 24 shkurt 2022 dhe konflikti vijon pa një marrëveshje përfundimtare për paqe.
Iniciativa e re e administratës Trump për të përfshirë më shumë financiarisht aleatët e NATO-s në furnizimin me armë për Kievin zhvillohet paralelisht me përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës.
Megjithatë, dallimet mes Moskës dhe Kievit për kushtet e një marrëveshjeje mbeten të konsiderueshme, ndërsa vazhdimi i ndihmës ushtarake dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën pritet të jenë ndër çështjet kryesore të diskutimeve të ardhshme.
Top Channel