Pas suksesit në Çmimin e Madh të Australisë, Mercedesi triumfoi edhe në Bahrein, por këtë radhë suksesi ishte më shumë me fat, sesa për meritën e tyre.
Charles Leclerc u tradhtua nga motori i Ferrarit të tij, ndërsa Vettel gaboi gjatë një dueli me britanikun për vendin e dytë në garë. Vetë kampioni i botës pranoi se, piloti 21-vjeçar i Ferrarit e meritone më shumë fitoren e garës, sesa ai.
“Leclerc meritoi ta fitonte garën, ishte fantastik”, tha Hamilton. “Gara ishte e vështirë, por ne nuk gabuam dhe shfrytëzuam rastet që na u dhanë. Dueli me Vettelin ishte shumë i bukur dhe argëtues. Frynte shumë erë në kthesën 4 dhe ndonjëherë e merrja atë gjerë. Ishim me fat dhe shfrytëzuam situatat”, shtoi piloti britanik.
Edhe më i drejtpërdrejtë ishte Toto Wolff, i cili pranoi se skuadra e tij pati fat.
“Kishim shumë fat. Zoti i garave pa nga ne sot. Strategjia funksionoi mirë, Hamilton ushtroi presion mbi Vettelin, por e vërteta është se Leclerc ishte më i shpejti. Por, garat janë të tilla. U treguam kursimtarë me gomat dhe, përpara se të shfaqej problemi, ne ishim shumë larg Leclerc”, tha Wolff.
Top Channel