Gërmenji në Njësinë Administrative Lekaj në Bashkinë Rrogozhinë është përzgjedhur pjesë e projektit të qeverisë “100 Fshatrat”. Relievi dhe pozita gjeografike që ka ky fshat ka nxitur banorët t’i përkushtohen kultivimit të kulturës së rrushit.
Rreth 80 hektarë është sipërfaqja e vreshtave të mbjella në vite nga këta banorë që e kanë mundësinë e vetme ekonomike. Por shqetësim për fermerët e Gërmenjit mbetet mungesa e ujit për vaditje, pasi sistemi i vaditjes ka 10 vjet që nuk funksionon për shkak të amortizimit. Banoret detyrohen të gjejnë alternativa të tjera, për të siguruar ujin duke hapur puse, por kjo është zgjidhje e përkohshme pasi nëntoka në këtë zonë nuk ka shumë ujë.
80 përqind e banorëve të këtij fshati kanë si burim kryesor ekonomik të ardhurat nga vreshtaria. Afrimi i stinës së nxehtë dhe mungesa e vaditjes, rrezikon që vreshtat e fshatit Gërmenj të mos kenë rendimentin e duhur duke çuar dëm mundin e banorëve. Për fermerët e Gërmenjit shqetësim mbetet edhe mungesa e subvencioneve. Ata thonë se nuk kanë përfituar asgjë edhe pse kanë aplikuar sipas rregullave të Ministrisë së Bujqësisë.
Top Channel