Gjatë përgjimit të një grupi kriminal në Shkodër në muajin janar, policia zbuloi një grup prej 16 personash, që në bashkëpunim me njëri-tjetrin jepnin parà me përqindje në mënyrë të paligshme.

Në një rast dyshohet se, për një shumë të marrë në formë fajdeje nga një qytetar shkodran, atij i ka shkuar interesi deri në 40% dhe përmes një kontrate te noterja i është marrë dyqani dhe shtëpia. Dyshohet se shuma që kishte marrë hua ishte 20 mijë euro.

Disa nga 12 të arrestuarit, tha një burim, hynin si ndërmjetësues dhe gjenin klientë. Por, si të dyshuar kryesorë në këtë rrjet janë ish-drejtori i Transporteve në Shkodër, Ilir Sokoli, i cili u arrestua në kufi duke u larguar drejt Kosovës, ndërsa gjatë operacionit policor u kap edhe Artan Dragani, ish-kancelar në Gjykatën e Shkodrës; Valbona Hajdari, notere; dhe Ergys Lohja, efektiv policie. Dy të fundit janë pezulluar nga detyra.

Në kërkim janë 3 persona, ndërsa janë dhënë 11 masa arresti me burg. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për “ushtrim pa licencë i veprimtarisë bankare” me pasoja të rënda, e kryer në bashkëpunim, “pastrim i produkteve të veprës penale”, “shpërdorim detyre” dhe “moskallëzim i krimit”.

Të dyshuarit huazonin parà me interesa që varionin nga 3%-20% në javë. Gjatë hetimit u zbuluan automjete, toka, apartamente e dyqane, pronësia e të cilave kishte kaluar në emër të të dyshuarve.

Gjatë kontrollit në një numër të madh banesash janë sekuestruar një numër i madh automjetesh dhe rreth 500 mijë euro. Por, hetimet financiare vazhdojnë për zbardhjen e të gjitha pasurive të vëna nga ky aktivitet kriminal.

Top Channel