“Një pemë për nënën”. Kështu e kishte quajtur nismën për të mbjellë pemë për ditën e sotme Bashkia e Tiranës.

Gra dhe vajza të institucioneve të ndryshme mbollën pemë në Parkun e Liqenit Artificial.

“Një bekim i vërtetë, që sot në 8 mars kemi mbjellë një pafundësi pemësh, patjetër nga zonjat, zonjushat, nga nënat, gjyshet, motrat, por edhe nga shumë çuna. Jam shumë i lumtur që në të gjithë qytetin, në çdo cep, pranë pallateve, shtëpive, nëpër rrugica afër shkollave, çerdheve, kopshteve, në çdo qoshe të Tiranës janë mbjellë pemë për të kujtuar nënën me diçka që zgjat”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi se transformimi i Tiranës këto 4 vite i dedikohet jo vetëm votës së gruas, por edhe punës së tyre në çdo nivel duke kontribuar për qytetin: “Lulet janë shumë të bukura, por vyshken pas një dite, kurse një pemë është përgjithmonë, ndaj dua të ftoj të gjithë, pema është një kujtim fantastik për çdo festë që kemi, qoftë edhe Dita e Verës. Unë sot jam i lumtur që mbolla një pemë për nënën time, një pemë për gruan time, për vjehrrën time dhe u bëj thirrje të gjithë meshkujve të Tiranës, që të kujtojnë që jemi këtu falë femrave që na rrethojnë, nga ato që na kanë bërë kokën, tek ato që e bëjnë Tiranën dritë çdo ditë, tek ato që marrin përsipër përgjegjësi që jo të gjithë i bëjnë”.

Top Channel