Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma, deklaroi në Top Talk me gazetarin Denis Dyrnjaja se partnerët ndërkombëtarë duhen dëgjuar, por, sipas saj, “radha e veprimeve e ka tejkaluar dialogun”.

“Demokracia funksionale në Shqipëri është nisur dhe do të vijojë të ndërtohet veçse me ndihmën e ndërkombëtarëve. Unë mendoj se fjala e tyre duhet të dëgjohet me shumë vëmendje. Politika është art i të ecurit në bashkërendim, ku secili duhet të bëjë rolin e vet. PD-ja vendosi që të marrë këtë akt ekstrem, të menduar gjatë, por që ishte i kushtëzuar në raport me krizën e thellë në të cilën ndodhet vendi. Në themel të këtij akti ishte misioni i Partisë Demokratike për të treguar që institucione nuk ka. Nëse do të kishte, nuk do të zgjidhnim këtë rrugë”, u shpreh Duma.

Kur u pyet për deklaratat e Maja Koçijançiçit, sipas së cilës, vendimi i opozitës për të djegur mandatet dëmton rëndë funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe se “Parlamenti është vendi ku bëhen diskutimet e mëdha”, Duma theksoi se “radha e veprimeve e ka tejkaluar dialogun”.

“Radha e veprimeve e ka tejkaluar dialogun. Pas bojkotit të parë për dekriminalizimin, marrëdhënies së kushtëzuar me Parlamentin, erdhëm në një situatë ku del kryebashkiaku e thotë se nuk ka gjë se ha drekë me kriminelët. Janë qëndrime që nuk ka lidhje më logjikën e të ulurit në dialog. Unë mendoj që edhe ky dialog është, pasi nuk i kemi djegur mandatet duke thënë që nuk duam gjë. Duam qeveri tranzitore, pa Edi Ramën kryeministër, që të tregojë se ka vullnetin për të vazhduar përpara reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi”.

Top Channel