Ndahet nga jeta Kiço Blushi. Shkrimtar, publicist, skenarist dhe aktivist politik

09/02/2019 15:59

Është shuar mbrëmjen e së premtes në moshën 75-vjeçare shkrimtari, publicisti dhe skenaristi i njohur Kiço Blushi.

Firmën e tij mbajnë disa prej pasurive më të mëdha të kinematografisë shqiptare si “Nëntori i Dytë” apo “Koncert në vitin 36”.

Për publicistikën, letërsinë dhe angazhimin e tij politik, Kiço Blushin e komentojnë njerëzit që e njohën si njeriun e thellë, të drejtë, të pakompromis dhe modest, duke mos dashur të binte sy, por të bënte jetën e tij si qytetar i këtij vendi.

“Ishte shkrimtar, poet, publicist, njohës shumë i mirë i karaktereve dhe shpirtrave njerëzorë. Ishte qytetar i mençur”, tregon Limoz Dizdari.

“Kiço ishte i veçantë për kurajon e tij, për mirësinë e tij. Padyshim është skenaristi më i mirë i ekranit shqiptar”, thotë Leka Bungo.

Të gjithë i kujtojmë disa nga batutat e tij më të famshme të filmave që ai shkroi:“Shqipëria të bëhet e mosvarme” (Nëntori i dytë); “Vetëm në Paris blihen lule me para’. Këtu lulet i hanë gomerët”(Koncert në vitin 1936).

“Babai i batutës, edhe pse ka qenë deputet, është Kiço Blushi. Askush sot nuk e ka arritur nivelin e batutës së Kiço Blushit”, deklaron Roland Qafoku.

“Një njeri i angazhuar, këmbëngulës për të vërtetën”, thotë Petrit Ymeri.

Kiço Blushi lindi në Korçë më 23 gusht të vitit 1943. Pas mbarimit të studimeve të larta për letërsi shqipe dhe ruse, filloi punën si redaktor pranë Radio Televizionit Shqiptar dhe në vitin 1974 kalon si redaktor në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Ai është shkrimtar protagonist i brezit të ndryshimit modernizues në letërsinë shqipe, prozator përfaqësues dhe skenarist me rol të shquar në historinë e kinemasë shqiptare. Në total ai ka shkruar 14 skenarë filmash artistikë dhe dy skenarë filmash dokumentarë dhe vizatimorë. Skenari i tij i parë ishte ai i filmit “Çifti i lumtur” në vitin 1975 si bashkëautor. Me skenarin e filmit “Beni ecën vetë” u vlerësua me Çmimin e Republikës së Klasit të III-të.

Kiço Blushi ka qenë një ndër personalitetet me ndikim cilësor qytetar dhe intelektual, që mori dhe ushtroi me përkushtim e përgjegjësi publike në momente kyçe për fatet e vendit. Kiço Blushi ka qenë edhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Ai u bë kryeredaktor i gazetës së njohur “Koha Jonë” dhe kur i dha fund kësaj eksperience, ai u bë anëtar i bordit drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.

“Angazhimi i tij në politikë, në publicistikë dallohet për qëndrimin qytetar, për seriozitetin, për guximin. Ai njeri nuk bënte kompromise dhe angazhohej me seriozitet për çdo gjë. Është guximtar dhe këmbëngulës për të thënë të vërtetën, të luftojë për të”, shprehet Petrit Ymeri.

Edhe pas dorëheqjes nga posti i Kryetarit të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Publik Shqiptar, ai mbeti në politikën aktive. Ai do të ngelet në kujtesën e miqve si Kiço Blushi i thellë e serioz, gjë të cilën e reflektonte në gjithçka bënte.

Top Channel