Ngjarjet abuzive në jetën reale shpesh e kanë patur zanafillën në botën virtuale. Me ndihmën e internetit, gjithçka përhapet më shpejt dhe më gjerë.
Alarmet për vemendje ndaj aktivitetit të fëmijëve qoftë në rrjete sociale, qoftë në jetën reale, bien çdo ditë që kur këto të dyja janë të lidhura me njëra-tjetrën. Në Ditën Botërore të Internetit të Sigurtë janë vetë fëmijët që me trajnimin e UNICEF-it janë kthyer në këshilluesit e vegjël të situatave të dhunshme dhe të dëmshme “online”.
Edhe historia e Jonit, nxënësit nga Fieri, tregon abuzimin dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve në internet. Dikush ju ofrua “online” me një vlerë monetare që ai të kryente disa foto intime. I frikësuar lajmëroi prindërit për situatën ku ndodhej. Prindërit kuptuan që djali kishte rënë pre’ e një rrjeti pedofilie. Për fat të mirë situata u kap në kohë, por jo gjithmonë mund të ndodhë kështu.
Ndër të tjera, është hartuar manuali “Këshilluesit e vegjël për sigurinë online” që do të mbërrijë në bankat e çdo nxënësi për të mësuar mbi problemet që mund të hasin gjatë lundrimit në internet dhe si t’i përballojnë ato.
“Shumë bashkëmoshatarë të mitë u kanë ndodhur raste të tilla dhe kanë pasur frikë e nuk ua kanë treguar prindërve ose mësueseve dhe e kanë vuajtur personalisht”, thonë nxënësit.
“Do u thoja të gjithë bashkëmoshatarëve të mi që të ruhen, pasi është vërtet shumë e rrezikshme sepse ato janë fotot e tua personale dhe nuk ke pse i ndan me të tjerët, aq më tepër në rrjetet sociale që janë të rrezikshme për fëmijët”, tregon një tjetër.
Por mbështetja e prindërve dhe mësuesve që fëmijët të jenë të sigurtë në internet nuk duhet të mungojë asnjëherë.
“Në pozicionin e një nëne, e një prindi, e një mësueseje mendoj se fëmijët duhet të kenë shumë ndihmën e prindërve, këshillimin dhe kontrollin e tyre. Mund të them që prindërit janë më pak të informuar sesa fëmijët e tyre”, thotë mësuesja.
Top Channel