Novak Djokoviç shkroi historinë ditën e diel, teksa fitoi titullin e tij të 7 në “Australian Open”, pasi mundi me shumë lehtësi në finale numrin dy të botës, Rafael Nadal.
Me triumfin në Melbourne, tenisti serb bëhet i pari që e fiton këtë turne 7 herë, duke lënë pas Roger Federerin, që për momentin është ndalur në 6 tituj “Grand Slam”-i të “Australian Open”.
Megjithatë, Federer vazhdon të jetë në krye të renditjes me 20 tituj “Grand Slam” të fituar gjithsej, ndërkohë që Djokoviç shkon në 15 të tillë. Tenisti serb e vë në shënjestër këtë rekord të zviceranit, por është i ndërgjegjshëm se është ende larg tij.
“Jam i ndërgjegjshëm se të bësh historinë në këtë sport është diçka speciale, është diçka që padyshim më motivon. Ajo që dua unë është të përmirësoj vazhdimisht lojën time dhe të ruaj formën që kam, fizike dhe psikologjike. Kjo do të më japë mundësinë që zhvilloj sfida të një niveli të lartë edhe në vitet që do vijnë, për t’iu afruar edhe më shumë rekordit të Federerit”, tha Djokoviç, një ditë pas triumfit të tij në “Australian Open”.
Top Channel