Federata Shqiptare e Peshëngritjes prej kohësh po përpiqet me ndryshimin e administrimit të saj të pastrojë edhe imazhin që i lidhet me dopingut si rrjedhojë e ngjarjeve të viteve të shkuara.
Në bashkëpunim me Ministrinë e Sporteve dhe Agjencinë e Antidopingut Shqiptar, federata e peshëngritjes ka grumbulluar të enjten të gjithë peshëngritësit e ekipit kombëtarë, kryesisht, për tu njohur me listën e re të përditësuar të elementëve të ndaluar që ka sjellë Agjencia Botërore e Anti-dopingut WADA.
Një listë do të publikohet shumë shpejtë edhe nga Ministria e Sportit në faqen e saj në internet e përkthyer edhe në shqip. Presidenti i FSHP, Dhori Masllavica, thekson edhe një herë angazhimin e tij për të pastruar peshëngritjen nga dopingu.
“Kemi nisur të bëjmë edhe seminare në ndërgjegjësimin e Federatës që lufta jonë kryesore është me dopingun. Si federatë kemi marrë përsipër t’u bëjmë dy analiza para çdo aktiviteti ndërkombëtar. Medaljet që do vijnë në Shqipëri të jenë të pastra”, u shpreh Dhori Masllavica, President i Federatës së Peshëngritjes.
Në mënyrë të beftë në përfundim të seminarit të gjithë sportistëve të pranishëm i është kërkuar analiza e dopingut nga përfaqësuesit e agjencisë antidoping pas një kërkese nga vetë federata e peshëngritjes, në prag të Kampionatit Europian që zhvillohet nga datat 6 deri në 13 prill në Gjeorgji.
Top Channel