Romela Begaj dënohet me 8 vjet nga Federata Botërore e Peshngritjes pasi nuk ka mundur të provojë përpara gjykatësve të Federatës Botërore arsyet e gjetjes së gjurmëve të stanazololit në trupin e saj.
Top Channel ka mundur të sigurojë dokumentacionin që Federata Botërore e Peshëngritjes i ka dërguar autoriteteve shqiptare rreth çështjes Begaj që nga zbulimi i saj pozitiv në janar të vitit 2018, pas analizave që ju bënë në Kampionatim Botëror të vitit 2017.
Kjo është përmbledhtasi ajo që Romela Begaj i ka paraqitur Federatës Botërore si mënyrë mbrojtjeje: “Vij nga një familje e varfër dhe kam kaluar shumë vështirësi nga fëmijëria ime deri më tani. Sporti i peshëngritjes është i vetmi burim të ardhurash për mua dhe nuk do të bëja asnjëherë asgjë për të prishur karrierën time”.
Edhe në rastin e parë kur rezultoi pozitive sërish ndaj stanazololit, në vitin 2014, Romela Begaj nuk mundi të shpjegojë se si kjo substancë kishte hyrë në trupin e saj. Sipas rrëfimit të saj, e vetmja përgjigje për pozitivitetin e gjetur është sabotimi.
Në sqarimin e vendimit përfundimtar, Federata Botërore e Peshëngritjes sqaron që sabotazhi nuk është provë, aq më tepër kur nuk ka asnjë mënyrë vërtetimi për këtë gjë. Si rrjedhojë, konkluzioni është ky: “Duke qenë se sportistja e ka të përsëritur pozitivitetin ndaj dopingut, do të dënohet me sanksionin maksimal që është 8 vjet dhe do të hiqen të gjitha rezultatet nga aktiviteti ku ka rezultuar pozitive dhe të gjitha rezultatet nga periudha e fillimit të kësaj çështjeje, që është fundi i vitit 2017”.
Romela Begaj, e cila aktualisht ndodhet familjarisht në Kanada, është 33 vjeç dhe me një dënim të tillë 8-vjeçar do të thotë fund i karrierës për të.
Top Channel