Novak Djokoviç fluturon në gjysmëfinalet e “Australian Open”. Numri një i renditjes botërore, që në çerekfinale pati përballë japonezin Kei Nishikori, shfrytëzoi faktin që kundërshtari i tij u tërhoq gjatë setit të dytë, të cilin Djokoviç e kryesonte 4-1, ndërkohë që setin e parë e kishte fituar 6-1.
Në fakt, për aq kohë sa u zhvillua, sfida nuk pati histori, pasi tenisti serb ishte dominues në të gjitha drejtimet kundrejt Nishikorit, i cili duket se ndieu lodhjen e dy sfidave të mëparshme, që i kishte fituar në 5 sete.
Kur rezultati ishte 4-1 në setin e dytë, Nishikori u dorëzua për shkak të dhimbjeve, e braktisi përfundimisht ndeshjen. Kundërshtari i Djokoviç në gjysmëfinale do të jetë Lucas Pouille, që eliminoi Milos Raonic duke e mundur 3-1, me sete 7-6, 6-3, 6-7 dhe 6-4, duke arritur për herë të parë në karrierë në këtë fazë të një turneu “Grand Slam”.
Lajmi i ditës në “Australian Open” vjen në turneun e femrave, ku Karolina Pliskova eliminoi Serena Williams në çerekfinale, duke prerë biletën për në gjysmëfinalet e turneut. Setin e parë, Pliskova e fitoi 6-4, por Serena u përgjigj në të dytin, kur rriti nivelin e lojës së saj për ta fituar fraksionin 6-4.
Në setin e tretë, Serena arriti të kryesojë në 5-1, duke shërbyer për të fituar sfidën. Por, në shërbimin e parë arbitri dha faull kundër Serenës, që shkeli vijën, ndërsa në të dytën tenistja pati probleme me kaviljen. Pikërisht në këtë moment ndryshuan gjërat në favor të Pliskovës, e cila barazoi rezultatin në 5-5, duke i anuluar 3 mundësi Serenës për të mbyllur llogaritë e sfidës.
Çekja bëri të sajat edhe dy “game”-t e tjera, duke fituar përfundimisht sfidën, ndërsa Serena Williams u largua nga fusha me lot në sy. Në gjysmëfinale, Pliskova do të luajë me Naomi Osaka, që është virtualisht numri një i botës. Tenistja japoneze tregoi forcën e saj ndaj Svitolinës, të cilën e mundi 2-0 me sete 6-4 dhe 6-1, në pak më shumë se një orë.
Top Channel