Në qytetin e gurtë italian, Matera, këtë fundjavë ka festë. Mijëra muzikantë nga e gjithë bota janë mbledhur për ceremoninë që e shpall qytetin e lashtë si kryeqytetin europian të kulturës për vitin 2019.

Me rënien e muzgut banorët e Materës 9 mijë vjeçare u bënë protagonistë të festimeve, duke fikur dritat dhe duke ndezur qirinjtë në të gjithë qytetin. Ky ishte një ndër elementët e organizimit festiv që vazhdon për dy ditë.

“Tashmë Materën e pret një e ardhme e shkëlqyer. Mund të presim vetëm gjëra të bukura, shumë njerëz dhe turistë, sepse ky është një qytet fantastik dhe meriton të gjithë vëmendjen që nuk e ka patur deri më sot”, shprehet Angelo Bandi.

Përzgjedhja e qytetit europian të kulturës është një traditë që promovon shumëllojshmërinë e kulturave dhe ndihmon njerëzit të zbulojnë pasuritë e kontinentit.

E në fakt Matera, një perlë e jugut të Italisë njihet si qyteti i banesave -shpella, me shtëpi, kisha dhe rrugica të ndërtuara në brendësi të shkëmbinjve.

Qyteti mbrohet nga UNESCO që prej vitit 1993 dhe është një prej vendbanimeve më të lashta në botë që janë banuar në mënyrë të vazhdueshme. Matera e Italisë u përzgjodh mes 21 qytetesh në garë së bashku me Plovdivin e Bullgarisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA