Mungon shërbimi katering, Trump porosit ushqim “Fast Food”-i për administratën

15/01/2019 08:50

Presidenti amerikan Donald Trump ka shtruar një banket “Fast Food”-i në Shtëpinë e Bardhë, duke fajësuar mbylljen e pjesshme të qeverisë për mungesën e stafit të kateringut.

Ai mirëpriti fituesit e kampionatit kombëtar të futbollit për kolegjet, Clemson Tigers, me më shumë se 300 hamburgerë, patate të skuqura dhe pica.

“Për shkak të mbylljes…ne kemi zgjedhur të porosisim ushqim të shpejtë amerikan, paguar nga unë”, u tha ai reporterëve.

Një pjesë e konsiderueshme e qeverisë federale është jofunksionale për shkak të ngërçit mbi buxhetin. Ai ka prekur rreth 800 mijë punonjës të sektorit publik, përfshi edhe stafin në rezidencën e Shtëpisë së Bardhë, të cilët kanë qenë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi, ose të punojnë pa pagesë për mbi 24 ditë tashmë, një rekord më vete ky.

Presidenti Trump refuzon të miratojë buxhetin federal, për sa kohë që nuk përfshihet fondi për murin përgjatë kufirit me Meksikën, por demokratët kanë refuzuar kërkesën e tij prej 5.7 miliardë dollarë.

Rreth 25 për qind e qeverisë federale do të qëndrojë pa punë, ndërsa punonjës të kontrollorëve të trafikut ajror dhe agjentë të shërbimeve sekrete do të vazhdojnë punën pa pagesë, derisa të rakordohet një plan shpenzimesh.

“Kemi pica, 300 hamburgerë dhe shumë e shumë patate të skuqura franceze, të gjitha ushqime të preferuara prej nesh. Dua të shoh se çfarë do të mbetet këtu kur ne do të largohemi, por nuk besoj se do të ngelet shumë”, tha Trump.

I pyetur se cili “Fast Food” është i preferuari i tij, Trump u përgjigj se i pëlqente të gjitha.

“Nëse është amerikane, më pëlqen. Mjafton të jetë produkt amerikan”, u kundërpërgjigj ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA