Presidenti Ilir Meta shkarkoi pa ngut 7 ministra të kabinetit “Rama 2”, përfshi zëvendësen e kryeministrit, por refuzoi që të njëjtën firmë të hidhte për lirimin nga detyra të Ditmir Bushatit.

Nga ministrat e rinj, Meta dekretoi emërimin brenda pak orëve vetëm të atyre 4 që janë pjesë e Parlamentit, ndërsa vendosi të mbaje pezull 5 ministra të rinj, deri në përfundim të një procesi verifikimi që ka nisur për integritetin e tyre.

Por, shqetësim të veçantë, kreu i shtetit duket se ka për ministrin e Jashtëm, ku jo vetëm nuk ka dekretuar Genti Cakajn si ministër të ri, por ende nuk ka shkarkuar ministrin në detyrë, Ditmir Bushatin.

Pyetje drejtuar presidentit: Kandidati i propozuar për ministër të Jashtëm, si ju rezulton deri tani?

Meta: Brenda afateve dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, jo duke pritur orët e fundit. Por, kjo do të varet nga përgjigjja e institucioneve që ne u jemi drejtuar. Do të bëjmë të gjitha veprimet përfundimtare dhe publike, me transparencë maksimale.

Vet presidenti Meta është treguar i rezervuar për arsyen se, përse nuk e ka shkarkuar ende Ditmir Bushatin, ndërsa fqinji grek aludoi për arsyen se përse Edi Rama largoi nga kabineti ministrin e Jashtëm.

“Ministri i Jashtëm më serioz që kishte Shqipëria për të negociuar, zoti Bushati u largua nga detyra. E u largua, për mendimin tim, jo sepse kishte shumë vite ministër, siç thuhet në Shqipëri. Por, sepse kishte një pikëpamje të ndryshme për çështjen e Kosovës, domethënë nuk pajtohej me ndryshimin e kufijve”, tha Nikos Kotzias.

Tezën se Bushati u largua nga qeveria për shkak të qëndrimit të tij kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë e artikuloi në Tiranë edhe ish-kryeministri demokrat, Sali Berisha, i cili në një intervistë televizive dha edhe arsyen e propozimit nga ana e kryeministit të Genti Cakës.

“Ky njeri vihet sepse është mbështetës i projektit të ndarjes së Kosovës. Kjo është një fatkeqësi kombëtare. Zoti ditëzi Bushati ka qenë katastrofal, po kjo nuk më pengon të them që në çështjen e ndryshimit të kufijve pati instiktin politik për t’iu kundërvënë haptazi”, tha Sali Berisha.

Pikëpyetje për figurën dhe qëndrimet e ministrit të ri kanë edhe ish-ministrat e Jashtëm dhe të Integrimit të PD-së dhe LSI-së.

“Problemi kryesor i diplomacise eshte qe ne vetvete duhet te kete ekperiencen. eksperica e tij le shume per te deshiruar, ndaj dhe pikepyetjet per te jane jashtezakonisht te medha. Eshte njeri anonim, nuk ka nje emer, fatkeqeishrtska asnje foto ne ministrinë e Jashtme per te kuptuar se kush eshte ky njeri qe do perfaqesoje shqiptaret ne bote jo me per te kuptuar filozofine e tij si do vepoje per te mbrojtur interesat e Shqipërisë apo te Kosovës”, tha Klajda Gjosha.

“Hap probleme me alelatët tane dhe eshte kandidature qe eshtë shprehur per nje proces te rrezikshem sic eshte ai per copetimin e Kosoves duke marre ne mbrojtje teorine e Beogradit”, tha Tritan Shehu.

Gjerësisht projekti që mbron me forcë presidenti Thaçi për një marrëveshje me Serbinë komentohet se është një projekt amerikan, që synon zgjidhjen njëherë e mirë të çështjes mes shqiptarëve dhe serbëve. Një marrëveshje për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, e mbase në një fazë të dytë të zgjidhjes së ndarjes së krijuar mes shqiptarëve.

Top Channel