Presidenti Donald Trump dhe e shoqja Melania i uruan amerikanëve krishtlindjet përmes një video të postuar në faqen online të Shtëpisë së Bardhë.

“Ne vijmë së bashku me familjen e miqtë për të shpërndarë shpresë, dashuri, dhembshuri, gëzim e dashamirësi”, shprehet Melania Trump.

Per presidentin, kjo festë nxjerr në pah më të mirën e shpirtit amerikan.

“Shohim fqinjët të ndihmojnë njëri-tjetrin, komunitetet që kujdesen për personat në nevojë. Shohim amerikanë të të gjitha moshave që shqetësohen për nevojtarët”, tha Trump.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë ndërkohë i përcolli trupave në mbarë botën urimet e tij të krishtlindjeve.

“E di se është një sakrificë e madhe për ju që të qëndroni larg familjeve në këtë kohë të vitit, por dua ta dini se çdo familje amerikane ju është përjetësisht mirënjohëse, dhe ju mban pranë zemrës, mendimeve dhe lutjeve të saj. Ne e duam atë që ju bëni. Jeni njerëz të jashtëzakonshëm”, tha presidenti amerikan.

Trumpi, ndryshe nga paraardhësit e tij nuk i vizitoi ushtarët amerikane në zonat e luftës, por pati një komunikim video me pjesëtarë të 5 degëve të ushtrisë.

Presidenti kaloi si rrallëherë krishtlindjet në Washington, në kohen e ngërçit në Kongres që ka detyruar mbylljen e një pjese të qeverisë.

Lëvizja ka prekur më shumë se 800.000 punonjës federalë. Zakonisht, këtë festë Trumpi e kalon ne Mar-a-Lago, rezidenca e tij në Florida, por i ndryshoi plane prej situates me qeverinë.

“Mendova se do te ishte e gabuar të pushoja me familjen në Palm Beach të Floridës kur shumë njerëz janë cenuar tani”, tha presidenti.

Top Channel