Në Nju Jorkun e vitit 1930 poetja Dorothy Parker, e njohur për rubrikën e saj të librit në Vanity Fair, do t’i shprehej mikut të saj të ngushtë, gazetarit Robert Benchley, se “një grua do të shkruajë gjithnjë ndryshe nga një burrë”.
Teksa lëvizjet feministe ende nuk kishin marrë përmasat që do të sillnin ndryshimet pas shekullit të 19, Dorothy besonte se në shkrimet e saj do të ishte gjithnjë hapësira ku do të kërkonte të drejtat e grave.
“Unë jam feministe dhe Zoti e di që jam besnike ndaj seksit tim”, do të shprehej ajo në një intervistë të atyre viteve duke vënë kryqin pikërisht në zemër të problemit. Debati më i fundit mbi feminizmin teksa mendohej se kjo kauzë kishte marrë fund që në shekullin XX, do të rizgjohej pak kohë më parë mes shkrimtarëve amerikanë. Shkak do të bëhej ndarja sipas gjinisë që Wikipedia i bënte letërsisë amerikane.
Autore të ndryshme femra u përfshinë në debate mbi seksizmin, aq sa Margaret Atwood do të vërente me të drejtë se “më gjeni një tryezë ku burrat mblidhen dhe flasin për përkatësinë e tyre gjinore”, duke iu referuar takimeve të ndryshme që organizohen me shkrimtare femra kudo në botë. Ndërsa shqetësimi i shkrimtares Jan Morris është si të ndryshojë gjininë, duke treguar një tjetër tablo të lirisë njerëzore sot, debatet që rikthehen shpesh mbi seksizmin nxjerrin në pah një tjetër problem, tundimin për të menduar se betejat për feminizmin janë fituar. Mjafton të hedhim një vështrim në botën e artit për të parë se historia vijon të jetë në anën e burrave.
Ekzistenca e artisteve të njohura si Tracey Emin të jep përshtypjen se është arritur barazia, por mjafton t’i referohesh një ekspozite apo të pyesësh disa nga vizitorët që hyjnë në galeri për të kuptuar se artistet femra njihen shumë pak. Muzetë, galeritë apo hapësirat e artit bashkëkohor vazhdojnë të jenë domeni i burrave. Georg Baselitz, piktor i njohur, shprehej hapur se gratë nuk dinë të pikturojnë, ndërsa kritiku i artit Brian Sewell shprehet se “vetëm meshkujt janë të aftë të bëjnë estetikë”. Çështja e seksizmit kthehet shpesh në një debat kulturor, që u kujton femrave pozitën e tyre të dobët në histori dhe se imazhet që vijnë nga bota e muzikës apo blogjeve nuk tregojnë realitetin për sa i përket çështjes së gjinisë. Hierarkitë që përcaktojnë vlerat vazhdojnë tëjenë seksiste në botën e artit, ashtu siç janë në botën e politikës, ekonomisë apo sportit.
Në këtë debat kulturor ku përfshihen shpesh emra të njohur të mendimit sot, Shqipëria është e veçuar. Kjo pasi historia e seksizmit në art nuk është ngritur asnjëherë nga kritika jonë dhe pse jemi ndoshta një nga vendet me një histori të dhunshme për sa i përket kësaj çështjeje. Letërsia, artet figurative, skulptura apo dhe vetë media për vetë historinë në të cilën u zhvilluan, soc-realizmin, na kanë ofruar një estetikë të burrave. Historia e kësaj estetike na bën të jemi të vetëpërjashtuar nga debatet bashkëkohore, apo të përfshihemi në analiza për të kuptuar prezencën e një seksizmi ende të fortë mes nesh.
Alda Bardhyli
Top Channel