Gjonaj: Pas KLP dhe KLGJ, tani është koha për Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme

13/12/2018 10:24

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka përshëndetur votimin e gjyqtarëve shqiptarë që zgjodhën mes tyre 6 anëtarët që do t’i përfaqësojnë në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit, institucion që bashkë me KLP-në shtrojnë rrugën e zbatimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi.

Duke e cilësuar ngritjen e këtyre institucioneve si një ngjarje të shënuar në historinë e drejtësisë shqiptare, Gjonaj theksoi se pikërisht KLP dhe KLGJ do jenë kolonat e një sistemi drejtësie të pavarur dhe profesional.

“Krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit është një ngjarje e shënuar në historinë e drejtësisë shqiptare. Ngritja e këtyre institucioneve është një hap kyç për zbatimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi, e cila do të rikthejë vlerat dhe parimet mbi të cilat duhet të bazohet një sistem drejtësie i pavarur: Integritetin, profesionalizmin, meritokracinë dhe përgjegjshmërinë, duke jetësuar një sistem drejtësie vetëm në shërbim të qytetarëve. Përgëzime për prokurorët dhe gjyqtarët që morën pjesë në këtë proces tërësisht ligjor dhe transparent, përmes të cilit u zgjodhën dy këshilla cilësorë, që do të jenë kolonat e një sistemi drejtësie të pavarur dhe profesional”.

Ministrja e Drejtësisë apeloi ndër të tjera që të mos humbet kohë por të vijohet edhe me ngritjen e Prokurorisë dhe Gjykatës së posaçme për të hetuar dhe gjykuar korrupsionin dhe krimin e organizuar për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. “Një falenderim i veçantë shkon për partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, që kanë ndjekur dhe mbështetur me shumë përkushtim procesin e ngritjes së këshillave, ashtu sikurse edhe të gjitha hapat e bërë deri tani në drejtim të projektimit dhe zbatimit të reformës në drejtësi”, shprehet Gjonaj ndër të tjera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA