Përplasja me gazetarët e njohur, Çipa në “Top Talk”: Tendencë e Ramës për ta politizuar gazetarinë

03/12/2018 16:38

“Top Talk”, duke marrë shkas nga nisma e kryeministrit Rama për krijimin e një pakete antishpifje si dhe rregullimin e mediave online, ka ftuar këtë të hënë kryetarin e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë Aleksandër Çipa.

Në studio Çipa e pranoi nevojën për rregullim të medias, kryesisht asaj online, pasi siç thotë ai “Në blogje nuk ka rregulla për ndalimin e shpifjeve apo fyerjeve”.

Por sipas kreut të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë Aleksandër Çipa, sot jemi në një situatë që kryeministri Rama duket sikur po zhvillon një betejë “trup me trup” me disa opinionbërës.

Por në gjykimin e Çipës, kjo është një tendencë e Ramës për ta politizuar gazetarinë dhe për ta eklipsuar gazetarinë e raportimit.

“Do ta konsideroja shqetësues faktin nëse kryeministri do të përballej me gazetarët e raportimit nga terreni, nga fakti dhe kryesisht nga statistikat reale. Por kryeministri konfliktin verbal e ka me individë të opinion bërjes në Shqipëri. Në gjykimin tim kjo është një tendencë e tij për ta politizuar gazetarinë dhe për ta eklipsuar gazetarinë e raportimit. Gjë që është e vlefshme që të bëjmë një apel: Sa më shumë faktologji se sa analizë, apo komente të njëanshme”, u shpreh Aleksandër Çipa.

Top Channel