Komisioneri europian i Zgjerimit, Johannes Hahn viziton sot Prishtinën, në mesin e një acarimi të ri të situatës në Kosovë.
Zyrtari i lartë europian do të zhvillojë takime me udhëheqësit më të lartë politikë të vendit, temë qëndrore e të cilave pritet të jetë taksa 100% e vendosur ndaj mallrave serbe, si kundërpërgjigje ndaj fushatës serbe kundër shtetësisë së Kosovës, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit dhe serbëve të Kosovës.
Një takim me të po e presin me padurim edhe deputetet e “Listës serbe”, të cilët janë mbyllur nga dita e diel në Kuvend. Ata këmbëngulin të bisedojnë me komisionerin europian për shqetësimin e tyre më të madh të momentit, taksën që prek produktet e importuara në Kosovë nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.
Ligjvënësit e ngujuar u vizituan nga shefja e zyrës së BE-së, Natalyia Apostolova, e cila nuk e përjashtoi mundësinë e një takimi të tyre me Hahnin, ndonëse kjo duket e vështirë.
“Fatkeqësisht kemi një agjendë shumë të ngjeshur për komisionerin Hahn, i cili po vjen për të ndërmjetësuar mes Prishtinës dhe Beogradit. Në mënyrë që ta ndihmoj këtë proces, unë u takova me përfaqësues të ‘Listës serbe’, që të diskutohet hapur mbi shqetësimet e tyre dhe çfarë duhet bërë në këtë drejtim. Shpresoj që ta kenë kuptuar mesazhin. Ata ndoshta do ta kenë mundësinë t’ia shprehin vet se çfarë i mundon; e nëse jo mund t’ia paraqesin në letër”, tha Apostolova.
Një çështje tjetër, të cilën Hahn pritet ta diskutojë me autoritetet e Kosovës është edhe ajo e liberalizimit të vizave. Këshilli i Ministrave i BE-së nuk e ka vënë në agjendën e takimit të 6 dhe 7 dhjetorit çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, gjë që në Prishtinë ka zgjuar reagime të shumta.
Top Channel