Festa e Çlirimit sivjet, për Forcat e Armatosura dhe qytetarët ka ardhur në një formë krejt ndryshe. Pedonalja e kryeqyetit shërbeu për disa orë si vendtakimi mes efektivëve të FA-ve dhe qytetarëve, të cilët populluan të gjitha stendat, ku ishin vendosur pajime dhe efektivë nga të gjitha strukturat e FA.

Supriza e bukur e “Ditës së hapur me FA” ishin uniformat e reja të Orkestrës Frymore të Forcave të Armatosura, e cila performoi gjatë të gjithë paradites, duke sjellë një atmosferë festive për fëmijët dhe të rriturit.

Uniformat e reja të OFFA-së, me elementë tradicionalë shqiptarë, me ngjyrat kuqezi, u prezantuan për herë të parë gjatë ditës së sotme dhe pjesëtarët e bandës u përshëndetën në veçanti nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Gjatë fjalës së saj në prani të qindra qytetarëve, ministrja Xhaçka tha se Shqipëria ka historinë e saj të mbushur me luftëra dhe sakrifica, por 74 vite pas çlirimit po përjetohet një situatë krejtësisht e ndryshme sa për u përket FA-ve.

“Ky moment na gjen të rreshtuar krah forcave aleate të NATO-s për të mbrojtur vlerat e përbashkëta të demokracisë dhe shtetit ligjor, jo vetëm brenda vendit tonë, por edhe hapësirës së NATO-s. Sot, në këtë aktivitet kemi ekspozuar një pjesë shumë të vogël nga jeta dhe veprimtaria e këtyre djemve dhe vajzave. Por, ajo që ata bëjnë në realitet, ajo çfarë ata i ofrojnë vendit tonë, është e pamundur të përcillet në kaq pak hapësirë”, tha ministrja Xhaçka.

Ajo theksoi se këta të rinj me uniformë janë përherë midis njerëzve, pranë komunitetit, atje ku jeta e njerëzve është në rrezik dhe ka nevojë për ndërhyrjen e tyre.

“Të jesh pjesëtar i këtyre Forcave do të thotë të jesh në frontin kryesor dhe më të vështirë në rastin e Emergjencave Civile, të rrezikosh jetën për të shpëtuar familje dhe fëmijë të rrezikuar nga katastrofat natyrore, të ndihmosh familje të shpërngulura nga këto katastrofa. Do të thotë të vesh jetën në rrezik për të pastruar ‘hot-spot’-et nga eksplozivët e rrezikshëm, të shkatërrosh masive shkëmbore, të ndërtojnë rrugë dhe ura në kushte të vështira, për ta bërë vendin tonë një vend më të sigurtë dhe më të mirë për të jetuar dhe punuar, me një cilësi jete të përmirësuar”, përfundoi ministrja.

Të gjithë kuriozët mundën të shohin nga afër në stendat e ngritura, shumë nga armët dhe mjetet e FA-ve të ekspozuara dhe një ndër pjesët me atraktive të kësaj feste ishte edhe maskimi i disa fëmijëve me bojëra taktike. Aktiviteti u ndoq edhe nga ambasadorët dhe atashetë ushtarakë të akredituar në Shqipëri, por një interes të lartë shfaqën edhe të huajt që ndodheshin si vizitorë në Shqipëri.

FOTO GALERI
5/12

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA