Shkencëtarët kanë nisur zbatimin e projektit më të madh të mbrojtjes së koraleve në barrierën e madhe koralore të rrezikuar prej ndryshimeve klimaterike.

Ata do të mbledhin miliona vezë të këtyre krijesave dhe larvat e koraleve do t’i rrisin diku tjetër për t’i kthyer më pas në zonat ku i kanë marrë.

Peter Harrison, i Southern Cross University, tha: “Kjo është hera e parë që i gjithë procesi i rritjes së larvave do të ndërmerret drejtpërsëdrejti në shkëmbinjtë nënujorë të barrierës së madhe koralore. Ekipi ynë do të punojë për këtë qëllim në një sipërfaqe prej qindra metrash me shpresën se në të ardhmen, ajo do të arrijë në kilometra katrorë, një shkallë kjo që nuk është tentuar kurrë më parë”.

Projekti koinçidon me periudhën e lëshimit të vezëve, që nisi në fillim të kësaj jave e zgjat zakonisht nga 48 deri në 72 orë. Koralet janë dëmtuar keqas përgjatë fashash të mëdha të barrierës 2 300 kilometërshe, e shkaku është rritja e temperaturës së detit prej ndryshimeve klimaterike.

Pjesa veriore e saj ka pësuar dëme të paprecedentë gjatë viteve 2016 dhe 2017, duke bërë të shtohet frika se mund të jenë edhe të pariparueshme. Shpresat e shkencëtarëve janë që përmes këtij projekti, një trend i tillë mund të përmbyset, megjithatë e pranojnë se as përpjekja e tyre mund të mos mjaftojë për të shpëtuar barrierën.

Top Channel