Zgjerimi i Unazës së Re, Mediu në “Top Talk”: Dëmshpërblim të plotë edhe për të palegalizuarit

21/11/2018 16:34

Partia Republikane në platformën e saj ka mbrojtjen e pronarëve të vjetër, por cili është qëndrimi i kësaj force politike për çështjen e Pronarëve të rinj tek Unaza e Re, për këtë çështje i ftuar në “Top Talk” ka qenë kreu i kësaj force politike, Fatmir Mediu.

Ai ka cilësuar si të papranueshme si gjuhën e përdorur nga mazhoranca ndaj protestuesve tek unaza e re, por edhe vendimin për të prishur pa dëmshpërblim objektet e ndërtuara ndër vite në atë zonë, e që nuk janë legalizuar.

“Ne jemi shqiptarë, e papranueshme gjuha e përdorur. E papranueshme që një shtëpi e ndërtuar me mund të shembet brenda një dite. Kjo qeveri ka marrë përsipër që të legalizojë të gjitha shtëpitë. Duhen shpronësuar me vlerën e tregut. Një detyrim është gllabërimi i pronës me lejen e shtetit. Kjo situatë është krijuar nga vetë shteti”, u shpreh Mediu, duke pranuar se situata kaotike e krijuar ndër vite do të rëndojë në kurriz të taksa paguesve, pasi sipas tij kjo vjen si pasojë e mos-zgjedhjes së pronës private.

Më tej Mediu është treguar kritik edhe me forcën kryesore të së djathtës, e cila nuk ka zgjidhur kur ka qenë në qeveri problemin e pronës.

“Në raport me pronën, edhe PD ka pasur problemet me vetën. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se duhet zgjidhur situata e banesave paleje. Shteti i ka lejuar që të ndërtojë, e për këtë duhet t’i dëmshpërblejë”, u shpreh Mediu.

Top Channel