Në tryezën e presidentit Meta gjenden tashmë kandidaturat nga Prokuroria, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, për hedhjen e shortit që do të lejojë ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Por, ndonëse nga KED-ja pritet plotësimi i vakancave në Gjykatën Kushtetuese, duke e kthyer atë funksionale, Top Channel mësoi se kreu i Shtetit nuk ka ndërmend ta hedhë këtë short, me arsyetimin se koha e dispozitave kalimtare ka kaluar dhe duhet të ngrihen më parë KLGJ-ja dhe KLP-ja, për të sjellë respektivisht kandidaturat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ndryshe e lexojnë ligjin për KED-në institucionet e tjera të drejtësisë, që i kanë dërguar presidentit kandidaturat. Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar kandidaturën e Arta Markut, si e vetmja nga institucioni që drejton e cila plotëson të gjitha kriteret për të qenë pjesë e shortit për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, përfshirë këtu kriterin e Shkollës së Magjistraturës (Emri tjetër, Fatjona Memçaj nga Prokuroritë e Apeleve).
Në rastin e shorteve të hedhura më parë, mazhoranca ia kishte bërë të qartë Prokurorisë, atëherë të drejtuar nga Adriatik Llalla, se duhej t’iu referohej dispozitave tranzitore të ligjit dhe të dërgonte edhe kandidaturat pa Shkollën e Magjistraturës, gjë që e ka bërë këtë herë Arta Marku, duke i lënë mundësinë shortuesve që të përfshijnë në short edhe të tjerë emra nga Prokuroria e Përgjithshme, përveç emrit të saj.
Gjykata e Lartë i ka dërguar presidentit 3 emra: Ardian Dvorani, Medi Bici dhe Edmond Islamaj. Dy të parët kanë kandiduar edhe për Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ka dërguar emrat e kryetarit Bashkim Dedja dhe anëtares Vitore Tusha.
Në mungesë të KLGJ-së, Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhej të dërgonte emrat e kandidatëve nga radhët e gjyqtarëve. Por, KLGJ-ja që drejtohet nga Meta e lexon ligjin njësoj si presidenti dhe, me arsyetimin se dispozitat kalimtare nuk vlejnë më, nuk ka dërguar emra në Presidencë.
Edhe nëse presidenti nuk e hedh shortin nga data 1-5 dhjetor, ligji për KED-në parashikon që e drejta i kalon Kuvendit në datat 6-10 dhjetor. Me ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, hapi i radhës është plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, duke i rikthyer asaj funksionimin.
Top Channel