Gjeneral Sandër Lleshi i është drejtuar me shkrim Presidentit të Republikës, duke e njoftuar atë se heq dorë nga përfitimet e vendimit të Gjykatës Administrative, e cila i kishte dhënë atij të drejtën të rikthehej në Forcat e Armatosura si ushtarak aktiv, status të cilin Sandër Lleshi i thotë kreut të Shtetit se ai nuk e gëzon.
Sipas shpjegimit të Lleshit për Metën, ai është nxjerrë në lirim në vitin 2013 nga Presidenti Nishani dhe ndonëse Gjykata Administrative e rrëzoi atë dekret, Ministria e Mbrojtjes ka ankimuar vendimin në Gjykatën e Lartë, duke e konsideruar gjeneralin si “gjyqfitues” në pritje të përfundimit të procesit gjyqësor dhe jo “ushtarak aktiv”.
Në përfundim, në letrën drejtuar Metës, Sandër Lleshi deklaron se heq dorë nga riveshja e uniformës: “Deklaroj me anë të kësaj letre se, në cilësinë e gjyqfituesit, me institucionin që ju drejtoni dhe Ministrinë e Mbrojtjes, heq dorë plotësisht nga të gjitha të drejtat që burojnë nga zbatimi i vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit. Në interpretimin tim nuk ka pengesë ligjore për dekretimin tim nga ana Juaj, por mirëpres çfarëdolloj akti administrativ nga ana Juaj apo e çdo organi përgjegjës të parashikuar nga ligji, që do të qartësonte dhe do të vendoste pa asnjë keqkuptim se nuk jam më ushtarak aktiv, por i liruar nga shërbimi aktiv ushtarak, me qëllim që të përmbushet funksionimi i i rëndësishëm kushtetues i emërimit të ministrit të Brendshëm”.
Kjo kërkesë e zv/ministrit erdhi pasi Presidenti iu drejtua Ministrisë së Mbrojtjes me shkresë, ku Sandër Lleshi konsiderohej nga Meta si ushtarak: “Emërimi i tij në detyrën e ministrit të Brendshëm, paraqet një problematikë themelore kushtetuese. Kjo sepse ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike, ndërkohë që një ushtarak i shërbimit aktiv nuk mund të kandidojë e as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra”.
Presidenti i drejton Ministrisë së Mbrojtjes 14 pyetje që lidhen me procesin gjyqësor të Sandër Lleshit dhe statusin pas tij: “Me çfarë akti z.Sandër Lleshaj, ka kaluar në lirim, apo në rezervë në Forcat e Armatosura, pas daljes së vendimit nr. 5137, datë 07.12.2017 të Gjykatës së Apelit Administrativ dhe përpara paraqitjes së propozimit të Kryeministrit, për emërimin e tij në detyrën e ministrit të Brendshëm?”
Në shkresën e firmosur “Ilir Meta”, Presidenti që është betuar si Ilir Metaj, kërkon sqarim edhe në lidhje me mbiemrin e gjeneralit, që në propozimin e Kryeministrit vjen si Lleshaj ndërsa në procese gjyqësore kundër Presidencës rezulton si Lleshi.
Pasi Kreu i Shtetit autorizoi bërjen publike të pyetjeve të tij, edhe Edi Rama tregoi letrën që i kishte dërguar Presidentit, ku nuk e fsheh keqardhjen që ky shqetësim nuk është shturar që në fillim nga Meta: “Ekspertët tanë mbrojnë bindjen se edhe nëse gjeneral Sandër Lleshaj do të ishte ushtarak në detyrë, çdekretimi i tij si i tillë nga Presidenti i Republikës, do të duhej bërë pas miratimit nga Kuvendi të dekretit Tuaj për të si ministër. Por siç na mëson eksperienca jonë, e Juaja dhe e imja, ka gjithnjë juristë me opinione të ndryshme. Kështu që, është e tëra Juaja zgjedhja e opinionit tonë të shprehur në përgjigjen e ministres apo e një opinioni të ndryshëm nga i yni dhe, në rast se ky i fundit do të jetë rasti, ju mund ta çdekretoni Sandër Lleshajn si gjeneral aktiv (bazuar në kërkesën e tij drejtuar Jush) e pastaj ta dekretoni atë ministër të Brendshëm (bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë)”.
Duke shprehur konsideratën më të lartë për institucionin e Presidentit, Rama mbyll letërn drejtuar Metën duke sqaruar se adresimi i tij si gjeneral kur i referohet ministrit të ri të Brendshëm, ka të bëjë me titullin që mbetet pas gradës në karrierën e shkëlqyer të dikujt.
Top Channel