Regjimi i presidentit sirian, Bashar al-Asad, ka ndërmarrë të paktën tetë sulme kimike në 12 muajt e fundit. Më i fundit ishte sulmi shkatërrimtar në Duma.
Në shtatë vitet e fundit janë dokumentuar 100 sulme të armëve kimike, si nga regjimi i Asadit ashtu edhe nga ISIS.
Inspektorët e OKB dhe të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (ONAK) kanë bërë thirrje për hetime, por çdo përpjekje është penguar nga Rusia.
Pavarësisht manovrave të Rusisë për të vonuar hetimet, ndërkohë që Duma pastrohet, ONAK arriti të vërtetojë që sulmi ka qenë vërtet kimik.
Unë kam hetuar disa sulme në Siri, si pjesë e punës sime me Task Forcën e CBRN, e cila kujdeset për të plagosurit dhe merr prova në zona krizash.
Në prill të vitit 2014, unë botova në gazetën Daily Telegraph rezultatet e hetimeve për sulmin në Kafr Zita dhe Talemenes.
Provat tona treguan në mënyrë të pamohueshme se regjimi kishte përdorur klorinë. Siria vazhdonte ta mohonte.
Ka pasur raportime shqetësuese që ushtarët sirianë kanë përdorur gaz sarin edhe me granata dore, për të vrarë njerëz të fshehur në tunele e bunkerë. Ky përdorim i ulët i armëve kimike është diçka që NATO dhe SHBA-të nuk e kanë menduar kurrë. Duhet të gjejmë një mënyrë për ta luftuar.
E dimë që në sulmin e Salisburit është përdorur gaz nervor Noviçok. E dimë dhe që të dyshuarit ishin oficerë të shërbimit sekret ushtarak rus, dhe që e kishin sjellë gazin nga Rusia, dy ditë para sulmit. Rusia ka vazhduar ta mohojë përfshirjen.
Noviçok është zhvilluar në vitet ’70-‘80 në qendrën ushtarake ruse të Shikanit.
Mendohet se është 10 herë më helmues se V.C, një agjent nervor që u përdor për vrasjen e Kim Xhong-Nam-it, vëllait të udhëheqësit koreano verior, Kim Xhong-Un.
Ndërtesat e ndotura në Salisburi duhet të shemben, tullë pas tulle, e të groposen diku tjetër. Është e vetmja mënyrë që të shmanget rreziku.
Vetëm një lugë nga ky lloj helmi shkaktoi tensione të mëdha midis perëndimit dhe Rusisë. Sigurisht që s’do të ketë kaluar pa u vënë re edhe nga terroristët dhe ujqit e vetmuar.
Po të kishin pasur agjentë kimikë bombat që iu dërguan kundërshtarëve të presidentit Trump, një pjesë e mirë e Manhatanit do të kishte qenë ende e izoluar.
Sidnej, në Australi, një tjetër metropol i madh, pësoi një sulm me armë kimike gjatë vitit të shkuar, kur disa xhihadistë u përpoqën të përdorin sulfit hidrogjeni kundër turmave dhe avionëve.
Aimen Dean, ish eksperti i Al Kaedës për armët kimike, tashmë agjent i MI6, ka botuar autobiografinë “Nëntë Jetë”. Ai më tha se pajisja në Sidnej ishte kopjuar nga një punë që kishte kryer në Afganistan, në vitet 1990.
Shumica e vendeve të NATO-s i kanë kushtuar shumë pak vëmendje armëve kimike, që pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, pasi e kishin quajtur rrezik të eliminuar. Pas sulmit në Salisburi, kjo siguri ka rënë.
Sulmi në Britani konfirmoi dyshimet se Rusia kishte shkatërruar vetëm armët kimike që kishte deklaruar, por jo të padeklaruarat.
Rusia mund të mos ketë me mijëra ton nga ajo lëndë, por fakti mbetet që kjo armë shkatërrimi në masë mbetet shqetësuese për SHBA-në dhe NATO-n. Sidomos pasi gazi Noviçok duket më i fortë se aftësitë mbrojtëse që ka NATO.
Në Luftën e re të Ftohtë me Rusinë, SHBA-të duhet të përgatiten edhe për sulme kimike.
Të gjithë kanë parë se çfarë pasojash patën në Siri dhe Irak. Duhet të hamendësojmë që në rast konflikti midis Lindjes dhe Perëndimit, do të ketë përdorim armësh kimike.
Bashkë me kërcënimet terroriste që vijnë nga vendet e tjera, kjo do të thotë që SHBA-të duhet të investojnë sërish për kapacitetin mbrojtës, si dhe të përgatiten të luftojnë në këtë mjedis të pistë.
Për grupet terroriste, sulmi në Salisbëri ka qenë një reklamë e stërmadhe e me drita të shndritshme, që u tregoi se ç’mund të bëhet nëpër qytete me sasi shumë të vogla agjenti nervor. Duhet të sigurohemi që mund t’i bëjmë ballë sfidës për të mbrojtur qytete si Nju Jorku, Los Anxhelosi e Orlando.
Si me çdo kërcënim tjetër, po të përgatitemi t’i bëjmë ballë, mund ta mposhtim. Por nëse ngulim kokën në rërë, kanë për të na kafshuar.
CNN, Hamish de Bretton-Gordon
Top Channel