Më shumë dy vjet e gjysmë më parë, kur ishte në koalicion qeverisës me Partinë Socialiste, LSI, përmes deputetit Petrit Vasili paraqiti një projektligj në Kuvend për ndryshimin e ligjit për koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat.
Por, vetëm këtë javë Parlamenti është vënë në lëvizje për shqyrtimin e kësaj nisme, duke e futur në kalendarin e punimeve. Në thelb, propozimi synon që çdo koncesion apo kontratë Partneriteti Publik Privat me afat mbi 4 vjet të kalojë për miratim në Parlament dhe jo thjesht me vendim qeverie.
Pika tjetër e rëndësishme është ngritja e një komisioni të posaçëm për vlerësimin e leverdisshmërisë së kocensionit dhe zhvillimi i një gare. Komisioni i Ekonomisë nuk arriti dot shqyrtimin e projektligjit për shkak të mungesës së deputetit Petrit Vasili.
Erion Braçe, kryetar i Komisionit të Ekonomisë, tha: “Kemi marrë përgjigje që zoti Vasili nuk është i disponueshëm sot për të qenë në komision. Por, nuk kemi ngutje për ta pritur zotin Vasili nga një vizitë tërësisht ekstraparlamentare në një shtet tjetër”.
Por duket se nisma e LSI-së do të shkojë drejt rrëzimit. Kjo pasi komisioni tjetër, ai i Veprimtarive Prodhuese, i cili është pyetur për dhënie mendimi ka votuar kundër. Argumenti kryesor ka qenë se qeveria po përgatit një projektligj tërësisht të ri për koncesionet. Në mars të këtij viti, pas kritikave të FMN-së për praktikat e dhënies së koncesioneve me propozime të pakërkuara, ministri i Financave, Arben Ahmetaj pati deklaruar se po përgatitet një ligj që do të ndërpresë dhënien e koncesioneve të pakërkuara duke filluar nga viti 2021, vit ky që përkon me mbylljen e mandatit të kësaj qeverie.
“Kemi rënë dakord dhe Ministria e Financave do të avancojë ndryshimet ligjore që nga janari i vitit 2021 të mos ketë më oferta të pakërkuara”, është shprehur Ahmetaj.
Top Channel