Trump: Khashoggi mund të ketë vdekur. Pasojat, shumë të rënda për sauditët

18/10/2018 22:54

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi për herë të parë këtë të enjte se, tashmë beson që gazetari Jamal Khashoggi është vrarë, e përsëriti gjithashtu paralajmërimin për “pasoja tejet të rënda”, nëse Arabia Saudite provohet të ketë përgjegjësi për eliminimin e tij.

“Sigurisht që për mua ai duket se ka vdekur. Është shumë e trishtë”, deklaroi Trump përpara gazetarëve, që e pyetën nëse e besonte apo jo faktin që Khashoggi, i cili u zhduk më shumë se dy javë më parë, të mos ishte më gjallë.

I pyetur mbi një përgjigjen e mundshme amerikane, ndaj Mbretërisë saudite që akuzohet për vrasjen e ish-analistit të “Washington Post”, Trump tha se “ajo do të duhet të jetë tepër e ashpër, pasi edhe kjo gjë është shumë e rëndë”.

Ndërkohë, tashmë është bërë zyrtare tërheqja e Sekretarit amerikan të Thesarit, Steven Mnuchin, si dhe homologut të tij britanik, Liam Fox, nga një konferencë e rëndësishme investitorësh në Arabinë Saudite.

Lëvizja e tyre vjen pikërisht për shkak të akuzave se sauditët janë ata që fshihen pas vrasjes së gazetarit Khashoggi, i cili nuk është parë më që prej 2 tetorit, kur hyri në Konsullatën saudite në Stamboll. Ishin pikërisht autoritetet turke që ngritën fillimisht alarmin për zhdukjen e tij dhe më pas pretendimet për vrasjen e tij brenda konsullatës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA