Kush ka kaluar nga rrethrrotullimi i Zogut të Zi mund të ketë parë një skulpturë të shndritshme.

“Cosmic S” quhet skulptura e vendosur në mes të rrethrrotullimit, e cila është shprehje e transformimit që po pëson qyteti i Tiranës dhe është punuar nga Helidon Xhixha, një nga artistët më të kërkuar në Evropë dhe Amerikë.

“Kjo vepër i kushtohet Tiranës, e cila ka qenë dhe do jetë gjithmonë një ndër shembujt për Shqipërinë, sidomos kohëve të fundit është shembull edhe sa i përket kulturës, arkitekturës, nivelit urbanistik, sportiv, për gjithë vendin. Jam i nderuar që i dhuroj këtë monument këtij qyteti, që i dedikohet me këtë lloj force, energjie, ekspresioni që Erioni i ka dhënë këtij qytet”, tha Xhixha.

“Është një dhuratë e dyfishtë: miqtë tanë libanezë kanë dhuruar infrastrukturën e Zogut të Zi me shatërvanët, një hapësirë e gjelbëruar që pastron ajrin në një zonë ku realisht ka trafik, ndërsa qershia mbi tortë është kryevepra e mikut tonë, Helidon Xhixha, i cili sot ka një reputacion të jashtëzakonshëm si një artist ndërkombëtar. Megjithatë, geni, rrënja dhe pasioni i shqiptarit është gjithmonë i dukshëm. Të jemi shumë mirënjohës! Ai sot është një nga artistët më të çmuar, veprat e tij kushtojnë miliona euro, por i kushtoi 3 muaj të jetës së tij krijimit të një kryevepre për Tiranën tonë”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se së shpejti do të fillojë puna për rrethrrotullimin te Shqiponja, çka do të reduktojë trafikun që krijohet në atë zonë.

“Do të bëjmë një ndërhyrje te sheshi “Shqiponja”, aty ku shkaktohet pjesa më e madhe e trafikut dhe besoj se kjo do të na lehtësojë edhe Zogun e Zi. Por, teksa presim që të ndryshojë infrastruktura e madhe e rrugëve, kjo nuk do të thotë që s’mund t’i bëjmë gjërat më të bukura dhe më estetike”, u shpreh Veliaj.

FOTO GALERI
4/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA