Pas deklaratave në fundjavë të kryeministrit Alexis Tsipras, edhe kreu i diplomacisë greke Nikos Kotzias i ka çuar një mesazh Shkupit nga samiti i ministrave të Jashtëm në Luksemburg.
“Pa miratimin e marrëveshjes së Prespës nuk do të ketë integrim në NATO dhe BE”, ka deklaruar Nikos Kotzias.
“Sot filluam diskutimin tonë me çështjet që kanë të bëjnë me Maqedoninë. Shpjegova se duhet të bëhet e qartë në Shkup se nuk ka asnjë zgjidhje pa miratimin e marrëveshjes së Prespës dhe se nuk është e mundur të bëhet ajo që thonë dy partitë e opozitës në Greqi dhe Maqedoni, se ato mund të sigurojnë një marrëveshje më të mirë për secilën palë, sepse kjo nuk del edhe me aritmetikën e thjeshtë të shkollës fillore”, tha Nikos Kotzias, ministër i Jashtëm i Greqisë.
Mesazhi i ministrit grek vjen në një moment kur në Parlamentin e fqinjit verior të Greqisë kanë filluar procedurat për miratimin ose jo të ndryshimve të Kushtetutës, që janë parakusht në mënyrë që të jetë e vlefshme marrëveshja e Prespës.
Tre ditë më parë, edhe kryeministri Tsipras pati deklaruar se alternativa e vetme që Shkupi të integrohet në NATO dhe BE është që Parlamenti i Maqedonisë të votojë këtë marrëveshje.
Top Channel