“Koha e deduksioneve mbaroi”/ Reagon Ilir Meta: Mirëpres 100 dëshmitarët e thirrur nga SPAK dhe veçanërisht tre super-kallëzuesit

19/06/2026 13:51

Një zhvillim i ri është shënuar në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit dhe kryetarit të Partisë së Lirisë Ilir Meta, pas paraqitjes nga SPAK të listës së dëshmitarëve në GJKKO.

Një ditë pas këtij hapi procedural, Meta ka reaguar publikisht duke deklaruar se edhe mbrojtja e tij do të kërkojë thirrjen e dhjetëra dëshmitarëve në proces, përfshirë diplomatë, zyrtarë amerikanë dhe përfaqësues të kompanive lobuese të përmendura në dosje.

Në një postim të tij, Meta ka theksuar se “koha e deduksioneve ka përfunduar” dhe se në gjykatë, sipas tij, do të paraqiten fakte që nuk janë hetuar prej vitesh.

“Koha e deduksioneve mbaroi, gati për të bërë hetimet që nuk ndodhën për 8 vjet. Mirëpresim rreth 100 dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria e Posaçme dhe veçanërisht tre super-kallëzuesit. Edhe ne do të kërkojmë rreth 100 dëshmitarë të tjerë, nga të cilët rreth 40 shtetas të huaj, kryesisht qytetarë, diplomatë dhe zyrtarë amerikanë, përfshirë të gjithë përfaqësuesit e kompanive lobuese që kanë bërë kontrata me LSI. Ftesë të veçantë do të ketë për të gjithë aksionerët dhe drejtorët e DIA-s së Uashingtonit, si edhe për drejtuesit e McKeon Group, përfshi edhe avokatin greko-amerikan Fidetzis. Për shkak të pamundësisë së Charles McGonigal për t’u paraqitur personalisht në gjykatë, i cili po bën burg në SHBA për Edi Ramën dhe po vuan për dëmin katastrofik që u bëri marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, do t’i drejtojmë edhe atij përmes gjykatës një sërë pyetjesh përmes letërporosive”, shkruhet në postimin e Metës në Facebook.

Ilir Meta ndodhet në paraburgim që nga 21 tetori 2024, pas ekzekutimit të një urdhri të SPAK.

Top Channel