Pas Bankës Botërore, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) përmirësoi parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë.

Në raportin e fundit “Perspektiva e Ekonomisë Botërore” FMN vlerëson se prodhimi kombëtar i Shqipërisë pritet të zgjerohet me 4% gjatë këtij viti, nga 3.7% që ishte vlerësimi i mëparshëm.

Përmirësimi i vlerësimeve për rritjen e prodhimit kombëtar të Shqipërisë vjen pas ecurisë pozitive të ekonomisë në gjysmën e parë të vitit. Për gjashtë muajt e parë, ekonomia shqiptare u rrit me 4.4% në terma vjetorë, një normë kjo dukshëm mbi pritshmëritë e udhëhequra nga performanca e fortë e sektorit energjetik.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, rritja e prodhimit të energjisë ka dhënë gati gjysmën e rritjes ekonomike, ndërkohë që ecuri pozitive ka patur dhe prodhimi industrial, i cili u zgjerua me 12.5%.

Ky është viti i pestë me radhë që ekonomia shqiptare përshpejton ritmet e rritjes, por sipas FMN-së kjo seri pozitive pritet të përfundojë vitin e ardhshëm. Fondi parashikon se në vitin 2019 rritja e ekonomisë shqiptare pritet të ngadalësohet në 3.7%, e kushtëzuar kryesisht nga përfundimi i dy investimeve të mëdha energjetike, gazsjellësi transadriatik dhe kaskada e Devollit.

Sipas FMN-së, pas ngadalësimit të pritshëm gjatë vitit të ardhshëm, rritja ekonomike do të rikthehet sërish në nivelin 4%, një normë e cila ndonëse është më e lartë sesa mesatarja e vendeve të rajonit, mbetet më e ulët nga ritmet e para krizës, kur ekonomia shqiptare rritej me 6% në vit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA